E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bardhi: Policia lejoi tubim të paligjshëm para SPAK, Hoxha: S’ishte protestë, s’ka pasur incidente

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi gjatë seancës së sotme plenare duke iu drejtuar ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, ka kërkuar prej këtij të fundit shpjegime se pse Policia e Shtetit nuk shpërndau turmën e qytetarëve të mbledhur para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në mbështetje të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Sipas Bardhit, ministri duhet të kishte marrë masa ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit që lejuan një tubim të paligjshëm.

“Një turmë individësh punonjës të bashkisë së Tiranës kanë pushtuar ambientet e jashtme të institucioneve të reja të drejtësisë të GJKKO dhe SPAK dhe nuk ka pasur asnjë prezencë të punonjësve të policisë”, tha Bardhi.

Bardhi shtoi se “së pari për të shpërndarë një grumbullim të paligjshëm se është vepër penale me autor të identifikuar sepse në media disa orë përpara tubimit ishin publikuar urdhra të paligjshëm të drejtorëve të policisë të identifikuar, drejtorët e bashkisë së Tiranës që urdhëronin punonjësit e administratës të dilnin dhe protestonin në mbështetje të një personi të akuzuar për korrupsion dhe që po gjykohej në atë moment”.

“Jo vetëm nuk ka pasur një shpërndarje të këtij tubimi të paligjshëm, nuk ka pasur asnjë punonjës të Policisë së Shtetit, por është penguar për minuta të tëra që ky i korruptuar të dërgohej në paraburgim duke penguar hyrje-daljet e makinës së policisë së shtetit që transportonte të akuzuarin për korrupsion dhe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të Policisë së Shtetit”, theksoi Bardhi.

“Duhet të kërkonte ndjesë dhe t’i raportonte Kuvendit për masat që ka marrë ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit që kanë lejuar një akt të pandodhur kurrë në historinë e Shqipërisë që të urdhërohet administrata shtetërore e pushtetit vendor për të ushtruar presion ndaj institucioneve të drejtësisë. Ata njerëz paguhen me taksat e qytetarëve të Tiranës për t’i shërbyer qytetarëve të Tiranës. Policia dje ka lejuar një tubim të paligjshëm. Nuk kemi dëgjuar sot që të ketë nisur ndonjë procedim penal ndaj drejtorëve batakçinj të bashkisë së Tiranës. T’i procedojë punonjësit e bashkisë së Tiranës që dje bllokuan për orë të tëra rrugët”, u shpreh Bardhi.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha iu përgjigj se ishte një grumbullim i menjëhershëm i simpatizantëve në mbështetje të kryetarit të bashkisë. Hoxha shtoi se Policia e Shtetit nuk e ka braktisur detyrën dhe ka marrë përsipër ruajtjen e perimetrit të Prokurorisë së Posaçme.

“Nuk është e vërtetë, ajo që pretendoni. Dje në mënyrë të menjëhershme simpatizantë dhe dashamirës të bashkisë janë grumbulluar përpara prokurorisë së Posaçme për të mbështetur kryetarin e bashkisë. Nuk bëhet fjalë dhe nuk jemi në rastin kur kemi të bëjmë më një tubim ose protestim të grumbulluar, të lajmëruar më parë. Jemi në kushtet kur këta simpatizantë dëshironin të ishin prezent gjatë dhënies së këtij vendimi, pasi këta simpatizantë u grumbulluan forcat e policisë janë afruar dhe janë shtuar me përforcime deri në përfundim të dhënies së gjykimit”, tha Hoxha.

“Për shkak të grumbullimit të menjëhershëm është bërë disa minuta bllokimi i rrugës, nuk është e vërtetë që policia e shtetit e braktisi detyrën dhe mori përsipër në zbatim të ligjit detyrën dhe misionin e saj për të ruajtur perimetrin e prokurorisë së Posaçme, edhe Garda e Republikës dhe punonjësit e policisë ishin aty”, tha Hoxha.

Hoxha tha se “grumbullimi ishte i menjëhershëm njerëzit erdhën papritur për të mbështetur kryetarin e bashkisë. Dje nuk ka pasur asnjë incident që ka shkaktuar dëme një njerëz dhe materiale”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›