Rama: Me inteligjencën artificiale, Shqipëria teknikisht gati për anëtarësim në BE brenda vitit 2027

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në prezantimin e modulit AI të zhvilluar brenda platformës së integrimit evropian dhe anëtarësimit, e cila përdoret çdo ditë nga më tepër se 1400 ekspertë integrimi, se me përdorimin e inteligjencës artificiale vendi do të mund të jetë gati për anëtarësimit në BE brenda vitit 2027.
“Mos harroni nga e kemi nisur se një pjesë e juaj nuk kanë qenë se për fatin tuaj të mirë jeni më të ri sesa kaq, kur e kemi nisur si vrima e fundit e kavallit. As vrimë jo, por me tapë e mbyllur. Nuk na qaste njeri dhe nuk na jepnin as statusin e kandidatit. Kemi luftuar me shpirt ndër dhëmbë dhe dhëmbë për dhëmbë me fatin e parashkruar keq nga trashëgimia e mëparshme. Kemi luftuar me paragjykimet, mosbesimin dhe me cinizmin e ndonjë vendi anëtar dhe pastaj falë jush në radhë të parë kemi arritur që në procesin e screening të ndryshojmë komplet. 100%. Gjithçka, në perceptimin e partnerëve në Bruksel për të cilët jemi ne”, tha Rama.
Rama shprehu besimin që vendi ynë është në një kulm dhe theksoi ai, “sfida e këtij kulmi është që të ruajmë ritmin”.
“Kemi dëshiruar që të përgatitemi që kur të vijë kjo fazë ne të kemi në dorë një armë më shumë duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale. Dhe mbase e keni dëgjuar mbase nuk e keni dëgjuar. Të nesërmen e daljes së openAI me ChatGPT kam kërkuar Mira Muratin, hera e parë që i dëgjoja emrin dhe pastaj jam vënë në kontakt me të dhe i kam kërkuar nëse me inteligjencën artificiale mund të na ndihmonte të bënim përshpejtimin e hyrjes së Shqipërisë në Evropë. Dhe kur i thashë a do ta ndihmosh Shqipërinë të hyjmë shpejt në Evropë filloi duke qeshur se kujtoi se i bëra një batutë. Dhe kur ia shpjegova na u vu në dispozicion”, u shpreh Rama.
“Qoftë për modelin që tashmë është funksional siç do ta shikojnë edhe të tjerët të përshpejtimit të procesit të transferimit të gjithë legjislacionit evropian, në legjislacionin shqiptar, për të cilin vendet më parë kanë harxhuar vite e vite të tëra. Edhe vendet në rajon kanë angazhuar armata të tëra me përkthyes edhe me juristë për të përkthyer, për të korrektuar, për të paradraftuar e kështu me radhë”, tha Rama.
Ndërkohë shtoi Rama, “ne me këtë model do të jemi të gatshëm që gjithçka ta mbyllim brenda afatit shumë ambicioz që kemi përcaktuar bashkë me Komisionin dhe që nga pikëpamja teknike ne të konsiderohemi gati brenda vitit 2027, për t’i dhënë kohë pastaj procesit politik”.
“Për t’i dhënë kohë ratifikimit në parlamentet e vendeve të BE të, se më bëhet mishi kokërr, të Shqipërisë vend i ri anëtar në BE dhe në këtë mënyrë brenda një harku 2 vjeçar që ne, pak a shumë parashikojmë për procesin politik dhe për ratifikimet maja e 2030-ës të na gjejë me flamurin tonë në rresht i pari në gjuhën e Evropës, fillon me A emri, në gjuhën tonë fillon me Sh dhe tani kemi ardhur në një fazë kur të huaj na shohin me A në çfarë bëjmë, kurse brenda vetes sh-sh-sh, histori e njohur që e përndjek Shqipërinë dem baba dem, por që edhe për këto arsye me anëtarësimin në BE do të mbarojnë”, u shpreh Rama. /j.p/