Panairi BIOFACH 2025, ministri gjerman i Bujqësisë Cem Özdemir viziton stendën shqiptare

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Ministri Federal i Ushqimit dhe Bujqësisë i Gjermanisë, Cem Özdemir, vizitoi stendën shqiptare, në panairin e produkteve organike BIOFACH 2025, duke u njohur nga afër me cilësinë dhe diversitetin e produkteve organike të prodhuara në Shqipëri.
Gjatë ndalesës së tij, ministri u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dritan Palnikaj, përfaqësues të AIDA-s (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve) si dhe nga prodhues shqiptarë që promovojnë produktet e tyre organike në pavionin kombëtar.
Palnikaj shprehet se “pjesë e BIOFACH 2025, një nga panairet më të mëdha të produkteve organike në botë, ku Shqipëria prezantoi potencialin e saj përpara 35,000 vizitorëve nga 130+ vende dhe 2,500 ekspozues”.
Ai nënvizon se ky panair, i mbështetur nga AIDA, ITC dhe SIPPO, shënoi një hap të rëndësishëm për integrimin e SME-ve shqiptare në tregjet evropiane, duke konfirmuar Shqipërinë si një vend me produkte organike cilësore dhe të qëndrueshme.
BIOFACH 2025 konfirmoi edhe një herë potencialin e Shqipërisë si një vend me prodhime të qëndrueshme dhe cilësore për tregjet ndërkombëtare, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm për promovimin e sektorit organik shqiptar në një nga panairet më të mëdha në botë për produktet organike.
Ligji për prodhimin organik, i miratuar vitin e kaluar, siguron rregulla të qarta për produktet shqiptare sipas standardeve të BE-së, duke rritur eksportet dhe përfitimet për fermerët.
Kompanitë shqiptare që marrin pjesë në BIOFACH 2025″
Musai Olive Oil – Vaj ulliri premium
Olivae Oleoteca – Vaj ulliri organik ekstra i virgjër
Essential – Vajra esencialë natyralë
Natural Herbal E.V.R. – Bimë medicinale dhe aromatike
BioBes – Bimë medicinale dhe aromatike
Ekoprod – Bimë medicinale dhe aromatike
Albanian Herb – Bimë organike me vlera të larta ushqyese
Vasilis Organic – Bimë organike
Filipi Company
Bidaj
Herba Fructus Natyrore
/j.p/
1 nga 2