E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi: SPAK nuk mund të veprojë me standarde të dyfishta për imunitetin e Ballukut

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zbaton standarde të dyfishta në çështjen ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se që prej 4 qershorit, SPAK ndodhet përballë një “testi vendimtar të besueshmërisë” dhe kërkoi që organi i akuzës t’i drejtohet Kuvendit me kërkesë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut.

Sipas Bardhit, pozita penale e Ballukut është rënduar pas njoftimit të SPAK-ut për dyshime të reja për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Ai tha se Prokuroria e Posaçme ka zbuluar dhe sekuestruar një vilë në Dhërmi, për të cilën, sipas tij, ekzistojnë dyshime se është përfituar si ryshfet dhe është fshehur përmes kontratave fiktive.

Bardhi tha se në dhjetor SPAK kishte kërkuar autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se rëndimi i pozitës penale sillte nevojën për një masë më të fortë sigurie. Sipas tij, atëherë mazhoranca e rrëzoi kërkesën duke argumentuar se Balluku nuk akuzohej për korrupsion.

“Që prej 4 qershorit 2026, Prokuroria e Posaçme ndodhet përballë një testi vendimtar të besueshmërisë së saj në çështjen Balluku: a do t’i drejtohet pa vonesa të tjera Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, apo do të vazhdojë të zbatojë standarde të dyfishta, duke i dhënë kohë Edi Ramës dhe Belinda Ballukut për manovra të tjera politike? Testi është vendimtar, sepse pozita penale e ish-zëvendëskryeministres është rënduar, sipas vetë njoftimit publik të 4 qershor-it, me dyshimet për dy vepra të reja penale: korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Prokuroria e Posaçme informoi se kishte zbuluar dhe kishte vënë në sekuestro vilën e fshehur të Belinda Ballukut në një nga resortet luksoze në Dhërmi, për të cilën dyshon se ishte përfituar si ryshfet dhe më pas ishte fshehur përmes kontratave fiktive.

“Pse standard i dyfishtë? Sepse në dhjetor, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit për arrestimin e Belinda Ballukut duke u mbështetur në një standard që sot nuk po e zbaton më: kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit. Në dhjetor, pasi pozita penale e ish-zëvendëskryeministres u rëndua me 11 episode të reja të abuzimit me tenderat, SPAK e ashpërsoi kërkesën për masën e sigurimit, duke kaluar nga ndalimi i daljes jashtë shtetit te kërkesa për arrest. Gjashtë muaj më parë, drejtuesi i SPAK-ut e argumentoi këtë kërkesë para Kuvendit me fjalët: “Rëndimi i pozitës penale shton rrezikun dhe dikton nevojën për një masë sigurimi më të rëndë””, tha Bardhi.

Bardhi ngriti disa pyetje ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar sqarime se përse nuk është bërë një kërkesë e re në Kuvend pas dyshimeve të reja dhe nëse ka pasur ndërhyrje politike për shtyrjen e veprimeve.

“SPAK nuk mund të ketë një standard në dhjetor dhe një standard tjetër në qershor. Kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit. Prandaj, Prokuroria e Posaçme u detyrohet shqiptarëve disa përgjigje”, tha ai.

Sipas Bardhit, standardet e dyfishta në sjelljen e Prokurorisë nuk e rrisin besimin te drejtësia, por e rrënojnë atë.

“Përpara ligjit duhet të jemi të gjithë njësoj. Ligji duhet të ketë të njëjtin efekt në çdo kohë. Është e papranueshme që ligji të sjellë një reagim të Prokurorisë në dhjetor 2025 dhe një reagim tjetër në qershor 2026. Ligji është i njëjti si në dhjetor 2025, ashtu edhe në qershor 2026, ndërsa sjellja e Prokurorisë së Posaçme jo. Ajo po ndryshon në varësi të humorit të Kryeministrit dhe kjo nuk është drejtësi, por trajtim politik dhe preferencial. Çdo ditë që kalon pa iu drejtuar Kuvendit është një ditë e keqe për drejtësinë dhe për Shqipërinë”, tha Bardhi.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›