Bardhi: Selia e PD do të jetë e mbyllur për çdo trafikant droge që ka qenë krah Berishës dhe mbështetësve të tij!

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e konsideroi një shou mediatik vizitën në selinë e PD të një grupi deputetësh që po kërkon të rithemelojë PD, si dhe deklaratat e tyre se kreu i partisë Basha po e izolon partinë. Ai tha se selia e PD do të jetë e mbyllur për çdo trafikant droge që ka qenë krah Berishës dhe mbështetësve të tij.
Pak minuta pas largimit nga PD të deputetëve demokratë të kryesuar nga Flamur Noka, zoti Bardhi tha para gazetarëve se ata bënë vetëm një show dhe se në seli po kryhen punime. “Show mediatik që patë, para pak minutash, në shkallët e PD-së, tregon edhe një herë që për disa, show dhe tallja me demokratët ka zëvendësuar betejën me regjimin e Edi Ramës. Kemi konfirmuar edhe dje që në godinën e PD-së janë duke u kryer punime, ky është fakt i njohur publik. Nuk ka nevojë të vish në dyert e partisë për ta provuar. Në seli, po shtohen ambientet e punës se koha e llafeve ka mbaruar më 18 dhjetor”, tha Bardhi.
“Disa kanë betejë për karrige, ndërsa institucionet e partisë janë në betejë me regjimin e Ramës. Selia e PD-së ka qenë dhe do të jetë e hapur për çdo demokrat dhe do të jetë e mbyllur për çdo trafikant droge që ka qenë krah Berishës dhe mbështetësve të tij. Dhuna është e vetmja gjë që i ka mbetur pakicës në PD. Skenarët me akte dhune kanë për të dështuar dhe PD-ja që nga data 18 dhjetor është e fokusuar në betejën me regjimin e Ramës. Lajmi i mirë sot është që disa kolegë ishin të pashoqëruar nga persona të dënuar për trafik droge dhe akte dhune” tha Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.