Përkrahësit e Berishës shkojnë në selinë e PD, Noka: Basha është vetëburgosur dhe e ka kthyer PD-në në Alkatraz!

Përkrahës të ish kreut të PD Sali Berisha, përfaqësues të Komisionit të Rithemelimit të PD, kanë akuzuar kreun e kësaj partie Lulzim Basha se është vetëburgosur duke e kthyer selinë e saj në burgun e Alkatrazit.
Përfaqësuesit e Komisionit të kryesuar nga deputeti Flamur Ndoka kanë mbërritur në selinë e PD , por e kanë gjetur atë të blinduar dhe të izoluar.
Ata janë përpjekur që të hapin dyert, por ka qenë e pamundur.
“Një grup deputetësh dhe deputetesh, anëtarë të grupit parlamentar të PD, erdhëm në selinë e PD, në shtëpinë tonë për të zhvilluar një takim, një mbledhje me axhendën që do ketë grupi parlamentar dhe PD për vitin 2022″ tha zoti Ndoka .
“Ajo që po konstatojmë me dhimbje është se shtëpia e lirisë duhej të ishte një ambient festiv që gumëzhin, ku gjejnë veten të gjithë demokratët. Por për fat të keq, Edi Rama dhe pengu i tij e kanë kthyer PD-në në një Alkatraz të kohëve moderne” shtoi deputeti i PD.
“E patë edhe vetë, gjithçka e mbyllur dhe e blinduar, a thua se e ka kthyer PD-në në një burg të sigurisë së lartë. Pengu i Ramës mund të rrijë i vetëburgosur. Edi Rama e ka vetëburgosur pengun e tij, por Rama e ka shumë gabim: mund të burgosë pengun e tij, por kurrë nuk do të mund të burgosë shpirtin e lirë të demokratëve” u tha zoti Noka gazetarëve.
5 janari ishte dita kur sipas Komisionit të rithemelimit të PD skadon dhe afati i lirimit të zyrave nga Lulzim Basha. Deputeti Ndoka paralajmëroi më 8 janar mbajtjen e një protesta e cila sipas tij do e çlirojë edhe selinë e PD. “Data 8 do të jetë një ditë kur demokratët do të marrin frymë lirisht, jo nga qelitë e Alkatrazit, por nga shtëpia e lirisë. Në mënyrën më paqësore, nga Alkatraz do e kthejmë në shtëpi lirie. Unë nuk shoh përplasje. Një njeri i vetëm nuk mund të ketë përplasje me të gjithë demokratët. Si mund t’iu ofronte pengu rrugën drejt pushtetit? Nga bunkeri, nga Alkatrazi. Demokracia është verdikti i shumicës,” tha deputeti i PD Flamur Noka.