Bardhi akuzon mazhorancën për skenar: Kuvendi po shndërrohet në memec, po shkelet Kushtetuta

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas përjashtimit të tij nga seanca plenare, duke akuzuar mazhorancën socialiste për tentativë për të shuar debatin dhe të drejtat e deputetëve.
Në një prononcim për gazetarët jashtë sallës, Bardhi e quajti masën disiplinore pjesë e një “skenari” të ndërtuar për të kaluar raportimet e institucioneve të drejtësisë pa diskutim.
“Duan të kalojnë pa debat, raportimet e komisioneve të drejtësisë. Duan të vendosin standardin e pa ndodhur në 34 vitet e demokracisë. Ne do të reagojmë gjithmonë sa herë të shkelet Kushtetuta e të drejtat e deputetëve,” deklaroi Bardhi.
Akuzat ndaj kryetarit të Kuvendit dhe Ballës
Bardhi sulmoi verbalisht edhe drejtuesin e seancës, Niko Peleshi, duke e cilësuar si zbatues të urdhrave të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Masat disiplinore që i jep kllouni i Taulant Ballës, nuk ka patur Kuvendi një kryetar më të dobët, ky është i nivelit që zbaton urdhrat e Taulant Ballës,” theksoi kreu i grupit të PD-së.
Sipas Bardhit, skenari ishte i qartë: “Skenari ishte të ndërprisnin debatet, duan ta shndërrojnë Kuvendin në memec. Ta harrojnë se mund ta shndërrojnë Kuvendin, ne do të reagojmë sa herë të shkelet rregullorja.”
Prononcimi i Bardhit erdhi pak kohë pasi Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i hoqi atij të drejtën e fjalës për gjithë ditën, pas një përplasjeje në sallë për shkak të shkeljes së rregullores.
/rtsh.al/