Bardhi kërkon ndryshime në rregullore: Deputetët të tregojnë nëse kanë përdorur Sky ECC dhe Encro Chat

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u shqyrtua edhe projektvendimi i propozuar nga Partia Demokratike për një ndryshim në Rregulloren e Kuvendit, ku çdo deputet të deklarojë nëse ka përdorur aplikacionet e koduara “SKY ECC” dhe “ENCROCHAT”.
Kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi tha se deputetët duhet ta nisin nga vetja për të bërë transparencë.
“Nuk po them se deputetet e kanë përdorur për krime. Mund ta kenë përdorur për arsye private të jetës së tyre. Por secili prej nesh do duhet të deklarojë e ka përdorur apo jo platformën e SKY ECC. Kjo është e gjitha. Kush nuk ka asgjë për të fshehur nuk ka pse të frikësohet. Për sa kohë, ne ia kemi vënë detyrim funksionareve të tjerë të shtetit do duhet ta nisim nga vetja. Kjo është e ndershme. Sa kohë detyrojmë një funksionar policie që paguhet me 600 mijë lekë të vjetra ne do duhet të nisim ne nga vetja. Ky është standard moral”, tha Bardhi.
Bardhi ftoi kolegët socialistë se nëse kanë shtesa dhe sugjerime për rregullime t’i diskutojnë dhe të bien dakord.
Bardhi theksoi më tej se mund të përdoret një model i ngjashëm me formularin e vetë deklarimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.
“Nisur nga modeli i përdorur për punonjësit e Policisë së Shtetit, kemi propozuar në kuadër të ruajtjes etikës dhe integritetit së deputetit që çdo deputet të kenë detyrimin për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit mbi përdorimin e aplikacioneve Sky ECC dhe Encro Chat”, tha ai.
“Në nenin 62 2 të propozuar për t’u shtuar në Rregulloren e Kuvendit, parashikohet që krahas plotësimit të formularit modeli i vetëdeklarimit, afati i dorëzimit të këtij formularit, struktura administrative për administrimin e tij, pasojat e plotësimit me të dhëna të rreme, publikimin e këtyre deklarimeve në faqen zyrtare të Kuvendit”, u shpreh Bardhi.
“Si shprehje e vullnetit të plotë për miratimin e kësaj dispozitë është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë që të ruajë një distancë nga cilido që ka qenë përdorues i tyre mjeteve të komunikimit dhe cilido që i ka përdorur të ketë mundësi për të bërë transparencë për qytetarët për arsyet se pse e ka përdorur”, tha Bardhi.
Pas diskutimeve nga anëtarët e këshillit, propozimi i paraqitur nga deputeti Gazment Bardhi nuk u miratua, pasi PS kërkoi që të shqyrtohet nga një grup pune më i gjerë.
“Nuk miratohet në formën që ka ardhur propozimi”, tha Spiropali, pasi e hodhi në votim. /j.p/