E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta rekurs në Gjykatën e Lartë, Gjokutaj: Të revokohet masa e arrestit me burg

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili ndodhet në burg që nga tetori i vitit të kaluar, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Kërkesa u bë publike nga avokati i Metës, Genc Gjokutaj.

“Një çështje që është bazuar mbi kallëzues të rremë, dëshmitarë të rremë dhe prova të marra në kundërshtim me ligjin, në këtë kuptim duke qenë në këto kushte duke mos pasur as dyshim të arsyeshëm dhe as prova në lidhje me këto tre episode për z.Meta, i jemi dekretuar Gjykatës së Lartë për revokim të masë së arrestit me burg të caktuar nga GJKKO, e që është miratuar më pas nga Gjykata e Apelit”, tha Gjokutaj.

I pyetur nëse ka shfrytëzuar edhe argumentin se Meta është drejtues i një force politike opozitare dhe se jemi në prag të zgjedhjeve, Gjokutaj tha se “patjetër që e kemi ngritur këtë argument. Ne kemi bërë prezent këtë cilësi të tij nisur nga parimi, është një praktikë e shkruar, por i referohemi jurisprudencës së Strasburgut që ka një praktikë të unifikuar në lidhje me subjekte të tilla, i referohem edhe Berishës”.

“Arrestimi i tij është bërë pikërisht për këtë shkak. Është paraqitur disa herë në gjykatë dhe ka dhënë shpjegime Meta edhe herën e fundit ka dhënë shpjegime të arsyeshme”, tha Gjokutaj.

Gjokutaj shtoi se “pikërisht pse është bërë në prag të fushatës, Meta as nuk helmon provat, as dëshmitarët nuk intimidon, nuk ka intimiduar as kallëzuesit”.

Avokati theksoi më tej se “ligjërisht Meta nuk duhet të qëndrojë në burg”.

“Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet të cilin nuk e ka treguar deri më sot, i referohem rastit të Berishës. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë është e njëjta rrugë që ndoqëm edhe me Berishën do të ecim drejt shterimit të gjykatave të brendshme e më pas për t’iu drejtuar Strasburgut”, tha Gjokutaj.

Meta është në masën “arrest me burg”, pasi po hetohet nga SPAK për tri vepra penale, “Korrupsion” në 3 raste, “Pastrim parash” dhe “Fshehje të pasurisë”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›