Bardhi letër Spiropalit: Kush dha urdhër për futjen e Policisë në Kuvend

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Pas përplasjeve me policinë jashtë ambienteve të Kuvendit, Partia Demokratike i ka kërkuar kryetares Elisa Spiropali informacion se kush e dha urdhrin për të futur Forcat Speciale të Policisë së Shtetit në ambientet e Parlamentit.
Nëpërmjet një letre zyrtare drejtuar kryeparlamentares, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se futja e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit gjatë një aktiviteti parlamentar, është një puç i rëndë kushtetues ndaj vetë Kuvendit të Shqipërisë dhe një provokim i pandodhur kurrë më parë ndaj opozitës.
Për këtë arsye, thotë PD në kërkesën drejtuar Spiropalit, “kërkojmë të na: Informoni menjëherë se kush ishte autoriteti që dha urdhrin për futjen e Forcave Speciale të Policisë së Shtetit në mjediset e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë? Vini në dispozicion kamerat e sigurisë të të gjitha ambienteve të brendshme dhe të jashtme të Kuvendit të Shqipërisë (përfshirë por pa u kufizuar: sallës plenare, korridoreve lidhëse të sallës plenare, hyrjes kryesore të Kuvendit, ambienteve të jashtme të oborrit të Kuvendit të Shqipërisë).
Në kërkesën e tij drejtuar Spiropalit, Bardhi nënvizon se “ju personalisht dhe cilido tjetër që në mënyrë arbitrare urdhëroni Forcat Speciale të Policisë së Shtetit të dhunojnë deputetët e opozitës, do të mbaheni përgjegjës për këtë shkelje të rëndë ligjore, që ka tiparet e një puçi kushtetues ndaj integritetit të Kuvendit të Shqipërisë”.
/a.f/r.e/