Bardhi mbyll vizitën në SHBA, takon kongresmenin Aderholt: Zë i fuqishëm i çështjes shqiptare

Bardhi përfundon vizitën në ShBA, takim përmbyllës me kongresmenin Robert Aderholt, bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri: Sfidat e të gjitha kohëve i kemi tejkaluar me mbështetjen e SHBA
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka përmbyllur vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka zhvilluar takimin e fundit me kongresmenin Robert Aderholt, bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri.
Bardhi e ka vlerësuar kongresmenin Aderholt si një zë i fuqishëm në mbrojtje të çështjes shqiptare, duke vlerësuar se interesi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar kërkon domosdoshmërisht ruajtjen e partneritetit strategjik me ShBA.
“Vizitën në Uashington DC e përfunduam me një takim falënderues në Kongresin Amerikan me kongresmenin Robert Aderholt, bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri. Kongresmeni Aderholt është një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
Interesi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar kërkon domosdoshmërisht ruajtjen e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sfidat e të gjitha kohëve i kemi tejkaluar bashkë dhe me sukses”, shkruan Bardhi.
/rtsh.al/