E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi raport selive diplomatike: Janë asgjësuar mekanizmat e kontrollit ndaj qeverisë

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka dërguar një raport selive diplomatike në vend, ku ngre shqetësime për atë që e cilëson si asgjësimi i të drejtave kushtetuese të opozitës në Kuvend dhe degradimin e standardeve në funksionimin e Kuvendit.

Sipas raportit, gjatë gjashtë muajve të parë të legjislaturës së re, shumica parlamentare ka refuzuar një sërë mekanizmash kontrolli të kërkuar nga opozita, përfshirë komisionet hetimore, interpelancat, mocionet me debat dhe kërkesat për informacion.

Në dokument theksohet gjithashtu shqetësimi për përjashtimin e opozitës nga proceset e transparencës në kuadër të integrimit europian, si dhe për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Qëndrimi politik i shumicës për të bllokuar çdo të drejtë kushtetuese të opozitës, refuzimi i çdo iniciative ligjore, përjashtimi i saj nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, apo përjashtimi i saj nga procesi i integrimit, e bën rolin e deputetëve të opozitës në Parlament jo vetëm të papërfillshëm, por mbi të gjitha një fasadë të një normaliteti të rremë, që minon vetë parimet dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament. Nëse opozita nuk mund të diskutojë çështje me interes publik, nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje mbi qeverisjen, nuk mund të propozojë ligje apo amendamente në dobi të qytetarëve, dhe nëse të drejtat e saj kushtetuese shpërfillen, atëherë roli i saj bëhet thjesht formal, duke dështuar në përmbushjen e përgjegjësive demokratike”, thuhet ndër të tjera në raportin e grupit parlamentar të PD.

Raporti ngre edhe pyetjen mbi mundësinë reale të opozitës për të ushtruar rolin e saj në këto kushte, duke nënvizuar se, megjithë angazhimin për të vepruar brenda kuadrit institucional, nuk do të pranohet cenimi i të drejtave kushtetuese.

Në përfundim, dokumenti thekson se aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të shoqërohet me standarde reale demokratike dhe funksionim të institucioneve, duke nisur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Raporti i është dërguar zyrtarisht edhe Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›