Rama: Berati, “dallëndyshja” që lajmëron pranverën e rikthimit të shqiptarëve në vendin e tyre

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi gjatë Asamblesë së PS në Berat se ky qytet “falë transformimit të vet është bërë dhe dallëndyshja e parë që lajmëron pranverën e rikthimit të shqiptarëve në vendin e tyre”.
“Berati është vendi ku më shumë shqiptarë kthehen nga jashtë sesa ikin jashtë dhe në Berat është shënuar fillimi i përmbysjes së trendit të largimeve nga Shqipëria. Berati ka disa gjëra shumë të thjeshta që na japin të drejtë për politikën e rilindjes urbane, na japin të drejtë për programin e investimeve për pikat e grumbullimit”, tha Rama.
Kryeministri vijoi se qeveria ka luajtur një rol kyç në nxjerrjen e Beratit nga “errësirat”, duke përmirësuar infrastrukturën dhe duke krijuar kushte që qytetarët të investojnë në pronat e tyre.
“Na japin të drejtë për mbështetjen e fermerëve për të krijuar modelet e një bujqësie sipërmarrëse. Na japin të drejtë për investimin tek e bukura, tek pasuria e trashëguar që deri kur ne morëm detyrën dhe lansuam “Rilindjen Urbane” ishte një pasuri e mbuluar me pluhur dhe e bënte Beratin të dukej si një minierë që mbi tokë që rrezatonte vetëm trishtim dhe dëshirë për t’u larguar”, tha Rama.
/gj.m/r.e/