E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa e studentëve për shqipen në Maqedoninë e Veriut, Hoxha: Të mos politizohet, e drejtë që ua garanton ligji

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot se forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe mbështetja pa rezerva për Kosovën mbeten prioritet i pandryshuar i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Sipas Hoxhës, Shqipëria vijon të jetë e angazhuar në mënyrë të qëndrueshme në dialog konstruktiv dhe në promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon, duke vendosur në qendër respektimin e të drejtave themelore, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të saj.

Duke u ndalur te situata në Maqedoninë e Veriut, lidhur me kërkesën e studentëve për të dhënë provimin në gjuhën shqipe, ministri Hoxha e cilësoi këtë si një të drejtë legjitime dhe të garantuar me Kushtetutë.

“Kjo e drejtë nuk duhet të vihet në diskutim, as të kufizohet dhe as të bëhet pengesë në praktikë. Kjo çështje duhet të adresohet në mënyrë institucionale, përmes dialogut dhe në përputhje me legjislacionin e atij vendi dhe standardet e Bashkimit Evropian. Si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut janë vende kandidate për në BE dhe të dyja vendet duhet të linjëzohen me politikën e përbashkët të BE-së, si dhe me normat dhe standardet evropiane. Edhe pse Maqedonia e Veriut nuk është duke negociuar në mënyrë aktive si Shqipëria, për ne kjo nuk bën asnjë ndryshim. Edhe për ta, synimi mbetet që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, theksoi Hoxha.

Hoxha tha se është e rëndësishme që çështje të tilla të mos politizohen, por të trajtohen me maturi dhe përgjegjësi, në funksion të stabilitetit, bashkëjetesës dhe perspektivës evropiane të rajonit.

Në përfundim, Hoxha ritheksoi se Shqipëria mbetet një partner i përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›