Bare: Iki, se nuk parandalova dot manipulimet në Tiranë
“Paraprakisht kam biseduar me kryetarin Rama. Ka patur një vlerësim maksimal të punës së bërë nga ana ime. Ai e kuptoi që ky ishte një qëndrim shumë i vendosur i imi, dhe më mirëkuptoi në qëndrimin tim”.
Dy ditë pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste për qytetin e Tiranës, Besnik Bare ka sqaruar se ky akt erdhi si rrjedhojë e përgjegjësisë, që ai personalisht ka ndjerë për rezultatin në zgjedhjet vendore, për Bashkinë e kryeqytetit. Megjithëse e konsideron rezultatin e Tiranës si të vjedhur, Bare shprehet se ka përgjegjësi direkte për mos parandalimin e kësaj situate, ndaj dhe kishte parë të arsyeshme largimin e tij, në mënyrë që edhe t’i hap rrugë reformimit të kësaj dege të PS-së. Sipas tij, në cilësinë e kreut të kësaj dege të partisë, ai mban përgjegjësi për organizimin e zgjedhjeve në këtë njësi, pasi janë strukturat partiake ato që përcaktojnë organet administruese të zgjedhjeve. “U evidentua shumë qartë se në Tiranë pati një deformim, vjedhje dhe një manipulim të jashtëzakonshëm. Unë ndaj përgjegjësi lidhur me këtë që ndodhi në Tiranë. Normalisht, dikush që ka përgjegjësinë, siç është rasti im për menaxhimin e zgjedhjeve, pavarësisht nga rrethanat, të ndërmarr një hap të tillë”, - u shpreh Bare, dje për mediat. Nga ana tjetër ai është përpjekur që të veçojë kryetarin e PS-së, Edi Rama, nga kjo përgjegjësi, duke theksuar se ai mban përgjegjësi për rezultatin në rang kombëtar dhe jo për atë në kryeqytet. I pyetur nëse Rama kishte përgjegjësi apo jo, dhe nëse, edhe ai duhet të ndiqte këtë veprim, Bare u shpreh: “Aspak do të thosha, sepse kryetari i PS-së ka një përgjegjësi në nivel kombëtar. Ai nuk ka qenë përgjegjës i drejtpërdrejtë në organizimin e zgjedhjeve në Tiranë. Ai nuk ka qenë përgjegjës në përzgjedhjen e komisionerëve, për atë që panë të gjithë shqiptarët, ku kryetari i Bashkisë së Tiranës praktikisht fitoi, por ishte një deformim skandaloz në sytë e opinionit publik, në sytë e opinionit ndërkombëtar”. Ai gjithashtu hedh poshtë dhe të gjitha hamendësimet se dorëheqja e tij ka qënë e kërkuar nga kreu socialist, Edi Rama, duke sqaruar në këtë rast, se ky ishte një veprim krejt personal. “Ky është një vendim tërësisht personal i imi, aq personal sa që shumë kolegë, miq të mi, nuk kanë kuptuar asgjë lidhur me këtë veprim, dhe se nuk kanë vënë re asnjë lloj presioni të ushtruar në PS nga kushdo, deri tek kryetari i partisë. Unë paraprakisht kam biseduar me kryetarin Rama, i cili ka patur një vlerësim maksimal të punës së bërë nga ana ime. Ai e kuptoi që ky ishte një qëndrim shumë i vendosur i imi, dhe më mirëkuptoi në qëndrimin tim”, - u shpreh Bare. Besnik Bare ka drejtuar socialistët e Tiranës për gati gjashtë vjet dhe dha dorëheqjen, të hënën e shkuar, pas rezultatit zhgënjyes që arriti PS-ja në zgjedhjet vendore në Tiranë, ku, veç Bashkisë së madhe, humbi dhe shumicën dërmuese të minibashkive dhe këshillave. Në vend të tij, kreu socialistë, Edi Rama, komandon deputetin Sajmir Tahiri, i cili me shumë gjasa, pritet të rikonfirmohet në këtë detyrë, edhe me zgjedhjet që do të zhvillohen në ditët në vijim në këtë degë, ashtu si dhe në shumicën dërmuese të strukturave të PS-së në të gjithë vendin.
Fejzi Braushi