E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët: Qartësuam hijet që kishim me PS-në

Aleatët e Partisë Socialiste, që morën pjesë në drekën e shtruar nga Edi Rama, dy ditë më pare, mohojnë zërat për një përçarje të koalicionit opozitarë. Kreu i PDS-së, Paskal Milo dhe ai i PDK-së, Nard Ndoka, të pranishëm në këtë takim, kanë bërë të ditur se mungesa e Gjinushit, Dules dhe Ngjeles nuk ka ardhur për shkak të pakënaqësive të tyre, por për arsye objektive. Madje Milo ka bërë të ditur se aleatët në koalicionin e majtë janë shumë pranë arritjes së një marrëveshje, për të realizuar një program të përbashkët politik, i cili do mund të përfaqësojë të gjitha interesat e partive që janë pjesë e tij. “Them që ka qenë një takim i mirë, sepse mjaft hije që ishin krijuar në marrëdhëniet midis nesh, në këtë periudhë kohore pas 8 majit, u qartësuan, dhe koalicioni do të përpunojë shumë shpejt edhe një program, që do të përfaqësojë interesat e gjithë partive që përfshihen në koalicion”- tha Milo. Për këtë mësohet se është rënë dakort pikërisht në këtë takim të cunguar të Ramës me Milon, Koçin, Ndokën dhe Zogajn. Pavarësisht kësaj, divergjencat brenda kampit opozitar, duken qartazi, pasi siç edhe konfirmuan dy ditë më parë disa nga aleatët, që nuk ishin në këtë takim, mungesa e tyre kishte ardhur për shkak se e konsideronin tryezën e thirur nga Rama, si joproduktive dhe të parëndësishme. Por pakënaqësitë e tyre janë shfaqur hapur gjatë këtyre kohëve nga një pjesë e mirë e tyre, ku veçojmë kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi dhe atë të PLiDr, Spartak Ngjela, të cilët nuk janë pajtuar me kursin e ri të Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›