Reforma, opozita drejt sitemit proporcional kombëtar
Reforma Zgjedhore mund të kalojë caqet e ndryshimit, vetëm të ligjit zgjedhor. Kjo pasi opozita pritet të kërkojë që të ndryshojë edhe sistemi zgjedhor, i cili përcaktohet në Kushtetutë. Megjithëse një gjë e tillë nuk bënë pjesë në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, socialistët janë të gatshëm që, për të plotësuar edhe kërkesat e aleatëve të tyre, që të kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar. Për një gjë të tillë duket se ka rënë dakort edhe kreu socialistë, Edi Rama, gjatë drekës së punës që zhvilloi para dy ditësh me një pjesë të aleatëve të vet.
Sistemi
Dreka që shtroi kreu socialistë para dy ditëve për aleatët e tij, duket se ka lënë të kënaqur këta të fundit. Ata duket se kanë mundur t’i shkëpusin atij një premtim, për të mbështetur kërkesën e tyre, për të shtruar në tryezën e diskutimeve të reformës zgjedhore edhe propozimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend. Bëhet fjalë për të kërkuar zyrtarisht, kur të hapen bisedimet për reformën zgjedhore me mazhorancën, edhe kalimin nga sistemi zgjedhor proporcional rajonal në një sistem të pastër proporcional kombëtar. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje kreu i PDS, Paskal Milo, i cili, duke folur lidhur me takimin me Ramën, ka theksuar se ndër të tjera, kreu socialistë ka lënë të kuptohet se mund të mbështesë një nismë të tillë. “Ne kemi qëndruar mjaft në diskutimin e çështjes rreth reformës zgjedhore dhe Kodit Elektoral dhe kemi paraqitur pikëpamjet tona, që siç thashë, janë dëgjuar me vëmendje nga Rama, madje me aq sa dëgjova, PS-ja nuk e përjashton mundësinë që të shikojë korrigjimin e sistemit zgjedhor, duke futur në të elementin e proporcionalit kombëtar”, - theksoi Milo. Përkrahja e një sistemi të tillë padyshim që do të favorizonte partitë e vogla, dhe në mënyrë të veçantë LSI-në, të cilat në sistemin actual, e kanë tepër të vështirë të arrijnë të marrin deputetë. Megjithatë duket se socialistët janë të zhgënjyer edhe nga sistemi aktual, pasi ndarja e mandatave për secilin qark favorizon më shumë demokratët. Ndaj për këtë arsye ata duket se janë të gatshëm që të pranojnë proporcionalin kombëtar, ku e gjithë Shqipëria do jetë një zonë elektorale dhe, ku secila forcë politike, do të matet me votat në të gjithë vendin. Padyshim vendosja e një sistemi të tillë do të kërkojë dhe vendosjen e një pragu të lartë elektoral, çka do të mënjanojë forcat politike fantazmë, nga e drejta për të pretenduar mandate deputetësh.
Reforma
Krahas sistemit zgjedhor, partitë politike parlamentare, me nisjen e punës së reformës zgjedhore, duhet të rishohin dhe disa aspekte të tjera të Kodit Zgjedhor, të cilat janë parë si pika të dobëta nga raporti i ODIHR-it, gjatë dy zgjedhjeve të fundit, ato parlamentare dhe ato vendore. Kështu, në këtë raport, renditen rreth 27 rekomandime, të cilat përkthehen në 27 propozime për ndryshime në Kod. Pika më e nxehtë dhe që kërkon një zgjedhje, mbetet çështja e kompozimit të institucionit më të lartë që do të administrojë zgjedhjet, pra KQZ-së. Nuk është përjashtuar mundësia edhe për një komision apolitikë, megjithëse një gjë e tillë nuk përkrahet nga të gjitha forcat politike, dhe kryesisht nga partitë e mëdha. Megjithatë, për nisjen e reformës, duket se do duhet kohë, pasi socialistët, megjithëse janë shprehur parimisht dakort për të, kanë kërkuar kohë.