Bare jep dorëheqjen nga PS-ja e Tiranës, komandohet Tahiri
Besnik Bare largohet nga drejtimi i socialistëve të Tiranës dhe në vend të tij është komanduar Sajmir Tahiri. Pas gjashtë vjetësh në krye të degës më të madhe të PS-së, Besnik Bare ka vendosur të japë dorëheqjen, një veprim ky, që duket se është diktuar edhe nga rezultatet jo pozitive, që socialistët arritën në zgjedhjet e fundit lokale në kryeqytet, ku përveç Bashkisë, humbën dhe shumicën dërmuese të njësive si dhe, mazhorancën në këshillin Bashkiak. Bare ka qënë i pamundur dje në mbrëmje, që të kontaktohej në telefon, ndërsa kolegëve të tij, u ka deklaruar se kishte ndërmarë këtë veprim për t’i hapur rrugë reformimit dhe riorganizimit të partisë. Burime pranë PS-së kanë bërë të ditur gjithashtu se Bare, dorëheqjen, ia ka paraqitur fillimisht Ramës ditën e hënë, dhe më pas, vendimin ia ka komunikuar edhe bashkëpuntorëve të tij në PS-në e Tiranës. Largimi i Bares nga ky post ishte i pritshëm në PS, pas rezultateve zhgënjyese që PS-ja arriti në njësinë vendore, bashkinë e Tiranës, ku e majta, përveç kreut të Bashkisë, pësoi një humbje të rëndë edhe në drejtimin e njësive minibashkiake (7 me 4, në favor të së djathtës). Rezultat ky ,që gjatë muajit korrik dhe gusht, u analizua edhe në takimet me strukturat vendore, ku duket se është arritur në përfundimin për dobësitë e treguara gjatë kësaj fushate zgjedhore. Edhe në bazë të statutit, Bare, edhe po të donte, nuk do kishte më mundësi që të rikandidonte për këtë post, pikërisht për shkak të rezultatit. Ndërkohë që duke parë rëndësinë që ka kjo degë e partisë, kryesocialisti Rama ka vendosur të ndërhyjë menjëherë, duke komanduar në krye të saj, Sajmir Tahirin. Një emërim ky, që shumë shpejt pritet edhe të konfirmohet me anë të zgjedhjeve që do të bëhen në këtë degë të partisë gjatë këtij muaj, pasi emri i Tahirit, është lakuar shumë këto kohë si pasardhësi i Bares në këtë detyrë. Kjo për shkak se Tahiri, rezultoi deputeti, që në zgjedhjet e 8 Majit, arriti rezultatin më të mirë në njësinë që i ishte ngarkuar për të mbuluar. Bëhet fjalë për zonën e Kombinatit, ku socialistët arritën të marrin njësinë vendore, por edhe më shumë vota për kryetarin e Bashkisë, pavarësisht pritshmërive të palëve.
F. Braushi