E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Historianët të rishkruajnë të vërtetën

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka këmbëngulur edhe një herë në idenë e saj të hershme për të rishkruar historinë. Këtë mesazh ajo e ka dhënë dje gjatë një seance homazh, në nderim të 65- vjetorit të lëvizjes së parë antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropë, kryengritjes së Postribës, në vitin 1946. Kryetarja e Kuvendit përcolli njëkohësisht apelin, që historianët të flasin me gjuhën e të vërtetës, jo vetëm për këtë ngjarje, por për të gjithë historinë famëkeqe të diktaturës së komunizmit. “Lëvizja e Postribës, është e para Lëvizje antikomuniste në Europë, dhe unë sot, kam një ftesë për historianët: Ku jeni? Përse nuk shkruani? Ku jeni? Përse nuk thoni të vërtetën? Flisni me të vërtetën, ajo nuk dëmton askënd, është detyra jonë që të themi të vërtetën.”, tha dje Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në fjalën e saj në seancën përkujtimore në nderim të martirëve të Lëvizjes atikomuniste të Postribës. Duke folur për kryengritjen e Postribës, kryetarja e Kuvendit tha se ishte në nderin e shqiptarëve të kujtojnë rezistencën e parë antikomuniste në Shqipëri, të cilën ajo nuk ka nguruar ta cilësojë edhe lëvizjen e parë antikomuniste në Europë. Kryetarja e Kuvendit, duke përmendur nominalisht emrat e martirëve të rënë, tha se “këta burra e kanë dashur Shqipërinë, kanë sakrifikuar për të dhe për flamurin, ata kanë guxuar për ditët e lirisë, që gëzojnë sot të gjithë shqiptarët”. Në këtë seancë kanë folur edhe të afërm të viktimave të kësaj kryengritje, si dhe studiues të historisë. Gjatë dhe pas kryengritjes, u vranë dhe u pushkatuan pa gjyq nga rregjimi komunist, 78 burra, fëmijë e të afërm të familjeve të tyre; u burgosën e u internuan mbi 1200 persona, u dogjën dhe u sekuestruan shumë shtëpi e pasuri të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›