Opozita, tri aleatë bojkotojnë tryezën e Ramës
Kursi i ri politik, i shpallur nga Partia Socialiste, ka lënë të pakënaqur një pjesë të mirë të aleatëve të saj. Pakënaqësi, që deri para pak ditësh, janë shprehur nëpër komunikimet mediatike, por që dje janë shfaqur edhe në formën e refuzimit që kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi, ai i PBDNJ-së Vangjel Dule apo edhe kreu i PLiDr-së Spartak Ngjela, i kanë bërë ftesës së Edi Ramës për një drekë pune. Asnjëri nga tri aleatët e mësipërm nuk ka marrë pjesë në drekën e shtruar nga kryetari i partisë Socialiste, Edi Rama, në një nga restorantet që gjendet tek Kullat Binjake, në bulevardin kryesor të Tiranës, duke e lënë atë vetëm, në shoqërinë e disa aleatëve të tjerë, atë të kryetarit të PDS-së Paskal Milos, PSV91 Petro Koçit, atij të PDK-së Nard Ndoka dhe të Preç Zogajt. Dreka ka qënë një përpjekje e Ramës për të zbutur qëndrimet e aleatëve dhe për të riorganizuar koalicionin opozitar në këtë sezon të ri politik.
Takimi
Ashtu siç edhe është bërë traditë tashmë, kreu socialist, Edi Rama ka thirur dje në një nga lokalet e kryeqytetit, në një takim informal, aleatët e tij. Takim ky, që ishte konceptuar në formën e një drake, ndoshta kjo për të krijuar një klimë më miqësore mes anëtarëve të koalicionit, të cilët nuk kanë nguruar që gjatë këtyre muajve të shprehin hapur pakënqësitë e tyre për kursin e ri, që ka vendosur të ndjekë aleati i tyre i madh. Kështu, rreth orës 13.00, kanë filluar të mbërrijnë me rradhë në këtë takim, në fillim kreu i PSV91 Petro Koçi, më pas ai i PDK-së Nard Ndoka dhe në fund kryetari i PDS-së që, për hir të së vërtetës, me zgjedhjet vendore të 8 Majit, u konfirmua si aleati më i madh i socialistëve, Paskal Milo. Ndërkohë që, vetë Rama, ka zgjedhur një nga hyrjet e pasme të kullave për të shkuar në takim, në mënyrë që të shmangë mediat që kishin zënë hyrjen kryesore. Më kot të pranishmit kanë pritur edhe praninë e aleatëve të tjerë, të cilët kishin vendosur të “bojkotonin” këtë tryezë. I kontaktuar nga gazeta “MAPO” lidhur me mospraninë e tij në këtë takim, kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi ka deklaruar se ka qenë jashtë Tirane, duke mos dashur ta lidhë këtë me qejfmbetjet lidhur me kursin e ri të PS-së. “Isha jashtë Tirane dhe pakënaqësitë nuk i kam zakon t’i shpreh me anë të bojkotit”, - tha Gjinushi. Ndërkohë që edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka dhënë pak a shumë të njëtën arsye, duke deklaruar se kishte impenjime të tjera. “Të gjithë jemi në një fazë të dendur aktivitetesh, dhe për rrjedhojë, nuk munda të isha prezent”, - u shpreh Dule, i kontaktuar në telefon. Por, vetëm dhjetë minuta para se të niste takimi, Dule është parë në bulevard, jo shumë larg vendit ku do të zhvillohej takimi. Edhe kreu PLiDr, Spartak Ngjela ka pohuar dje për mediat se kishte vlerësuar se takimi ishte informal dhei pa një rëndësie të veçantë, ndaj dhe nuk e kishte parë të arsyeshme prezencën.
Biseda
E mangët siç mbeti tryeza e aleatëve të majtë, nuk ka munguar të diskutojë mbi situatën politike. Megjithëse kanë qënë tepër të rezervuar për atë që është biseduar në të, burime pranë saj, kanë bërë të ditur se Rama është përpjekur t’i shpjegojë të pranishmëve atë që ai e ka konsideruar si kursin e ri politikë, duke dhënë shpjegime për mënyrën se si ai e ka konceptuar opozitë-bërjen, në muajt në vijim. Ndërkohë që aleatët kanë shprehur interes për aksionin opozitar, i cili siç mësohet, nuk duhet të përqëndrohet vetëm në Kuvend, por edhe në ndërmarje të përbashkëta me aleatët. Për të koordinuar veprimet e mëtejshme, është shprehur edhe nevoja, që tryeza e opozitës të mblidhet më shpesh. Në këtë takim është rënë dakort gjithashtu, që opozita të hartojë dhe një program të sajën, për të cilin do të punojnë ekspertë të të gjitha partive, ndërkohë që, koordinator është zgjedhur Preç Zogaj. “Kemi vendosur që të hartojmë edhe një program në emër të opozitës shqiptare, me teza që do t’i përpunojmë në ecje e sipër. Në këtë program të opozitës do të përfshihet gjithë gama e problematikës shqiptare”, - u shpreh dje Paskal Milo.