Bari, javë përkujtimore për eksodin shqiptar të 1991

Qyteti i Barit në Itali do t`i kushtojë një javë përkujtimore eksodit të mbi 20 mijë shqiptarëve, të cilët në 8 gusht të vitit 1991 zbarkuan në brigjet italiane. Mbi 20 mijë shqiptarë zbarkuan në portin e Barit më 8 gusht të vitit 1991 me anijen Vlora. Mikëpritja ishte një shembull i patejkalueshëm që ky qytet me kryebashkiakun Enrico Dalfino u ofroi shqiptarëve, duke dëshmuar një gatishmëri të paprecedentë humanitare për të pritur këta njerëz, për të cilën qyteti do të marrë Medaljen e Mirënjohjes nga shteti shqiptar, dhe që shteti shqiptar ia dorëzon për herë të parë një qyteti të huaj, shkruan gazeta italiane La Republicca. Kjo mikpritje e para dy dekadave, e cila mbetet një shembull i përkryer, do të vlerësohet gjatë javës së iniciativës së Misionit Vlora, me iniciativë të Bashkisë dhe në bashkëpunim me shoqërinë jo-fitimprurëse Ital, një shoqëri italoballkanike e udhëhequr nga Antonio De Cicco. Imazhet dhe fjalët do të tregojnë se si u shëndërrua Bari , ditën e 8 gusht të vitit 1991. Në bordin e anijes Vlora ishte edhe balerini Kledi Kadiu, shkruan më tej La Repubblica, i cili jo pa qëllim do jetë në 5 gusht në sallën Murat, për të kujtuar, në prani edhe të presidentit shqiptar Bamir Topi, se çfarë ndodhi atë ditë në Bari. "Askush nga ne nuk do të harrojë kurrë turmën oqeanike, njerëzit e dehidratuar, të lumtur, plot me shpresa dhe frikë. Bari gjeti forcën dhe humanizmin për të pritur ata burra dhe gra, pavarësisht vështirësive të shumta që paraqiteshin. Bari tani ndjehet krenar që e ka jetuar atë 8 gusht",ka thënë kryebashkiaku aktual Michele Emiliano. "Misioni Vlora" filloi më datë 1 gusht dhe vazhdon deri më 8 gusht, javë e cila i kushtohet e gjitha shqiptarëve të eksodit të 1991. Një ekspozitë me foto të atyre momenteve, të cilat janë shkrepur me shumë mjeshtëri nga disa fotografë italianë pasqyrojnë qartë ato javë tmerri për shqiptarët. Në këte ceremoni do të marrë pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi.