E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi, Putin e mban të hapur mundësinë e rikandidimit

Shtatë muaj para zhvillimit të zgjedhjeve presidenciale në Rusi, kryeministri Vladimir Putin ka lënë të hapur mundësinë për kandidimin edhe një herë tjetër. Gjatë një fjalimi programatik të mbajtur para një grupi të rinjsh në afërsi të Moskës ai lavdëroi bashkëpunimin e tij me shefin e Kremlinit, Dmitry Medvedev. Ky bashkëpunim reciprok ka treguar se është efektiv, tha ai, njofton Deutsche Welle.

Edhe kryetari i shtetit, Medvedev nuk ka folur kundër një kandidimi të dytë të Putinit.Ndërkohë partia në pushtet “Rusia e bashkuar” ka ndezur spekulimet me publikimin në internet të një videoje. Filmi tregon kryeministrin Putin gjatë një vizite të shkollave, fabrikave dhe spitaleve dhe duket si një kontribut para fushatës elektorale. Putini ka qenë nga viti 2000 deri 2008 kryetar shteti dhe ia la postin Medvedevit, sepse sipas kushtetutës ai nuk lejohej të kandidonte më, pas dy legjislaturave.

Mijëra të rinj ishin mbledhur për të dëgjuar Vladimir Putinin, ndërsa mbanin edhe portretin e tij në duar dhe në pemë, në ambientet e kampit veror ku ata gjendeshin. I veshur me këmishë dhe pantallona në ngjyra të çelëta, Putin mbërriti me helikopter në kampin e të rinjve në veri të Moskës ku ai zhvilloi edhe takimin e hapur. Të rinjtë përkrahës të Putinit, thirrën emrin e tij dhe e përshëndetën me duartrokitje jo pak herë gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›