E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bariç: "Anglia, test krenarie per futbollin shqiptar"


Trajneri babaxhan i Kombëtares, Oto Baric, është në fazën e përgatitjeve të ndeshjes miqësore me Anglinë. Disa lojtarë thelbësorë mungojnë, të tjerë ende janë në fazën e konfirmimit të përgjigjeve dhe pjesa tjetër, ajo me lojtarë nga kampionati shqiptar, pret shpalljen zyrtare të listës. Pas gati 84 ditësh, që nga 8 shkurti 2007, kur Shqipëria humbi miqësoren me Maqedoninë (0-1) në Shkodër, Oto Baric jep një intervistë ekskluzivisht gazeten "Albania" dhe "Albania-sport.com".
Kroati 74-vjecar gjendet në formë të shkëlqyer, teksa duket se i ka kaluar plotësisht problemet shëndetësore që bënë bujë në të gjithë botën përpara ndeshjeve me Slloveninë dhe Bullgarinë, madje është i gatshëm të flasë një orë pa ndërprerje edhe për një argument të vetëm, edhe pse shpesh gjatë intervistës përmend se duhet të kryejë shumë telefonata. Shqipëria në pesë ndeshje zyrtare nën drejtimin e Oto Baric ka grumbulluar tri pikë në tri barazime: me Bjellorusinë, Slloveninë e Bullgarinë. Baric ka pësuar dy hymbje me dy nga ekipet më të mira në Botë: me Rumaninë (0-2) dhe Holandën (2-1).
* * *

Zoti Baric, jeni për herë të parë në Shqipëri pas barazimit të rëndësishëm me Bullgarinë (0-0), takim që ju dha juve personalisht një përmasë të re mediatike ndërkombëtare në atë aventurë të pashoqe drejt Sofjes
- Luajtëm një ndeshje shumë të mirë, për ne ishte gati një fitore. Në Holandë edhe mund ta mbyllnim në barazim ndeshjen, 2-2 do të ishte rezultati më i drejtë. Në Bullgari ne konsoliduam ekipin që jo vetëm bëri një paraqitje shumë të mirë, por mori dhe një pikë të vlefshme me një ekip që ka në gjirin e tij sulmues të mirë. Unë mund të them se kemi një ekip solid. Mund ta them qetësisht: ne kemi bërë një ekip të mirë. Askush nuk e ka të lehtë kundër nesh dhe të na mundë më lehtësisht. Unë besoj se me Holandën apo me Slloveninë, që për fatin tim të keq isha sëmurë, dhamë disa sinjale të mira, që u kurorëzuan me Bullgarinë, ku unë besoj se dhamë gjithcka të mirë tonën, duke dëshmuar edhe progresin e futbollit shqiptar.

Sa ka ndryshuar mendimi i Baric për përfaqësuesen shqiptare pas gati një viti punë?

- Është e natyrshme që të kem një përfytyrim tjetër pasi kanë kaluar jo pak kohë. Kemi një portier shumë të mirë, mbrojtje shumë të sigurt dhe solide, që më parë ka qenë problemi ynë më i madh. Kemi lojtarë të mirë në repartin e mbrojtjes, ku padyshim spikasin Dallku, Beriri, Dede dhe Curri. Lala, vecanërisht Cana, por dhe Muka, Duro e Haxhi, kanë vlera dhe me eksperiencën që zotërojnë mund të quhen pa më të voglin dyshim si lojtarë të nivelit ndërkombëtar. Ajo që është më e rëndësishme është fakti se pjesa më e madhe e futbollistëve mund të luajnë një futboll cilësor edhe për pesë-gjashtë vjet.

Shqipëria do të luajë pas 20 ditësh një ndeshje miqësore me Anglinë. Edhe pse ajo është B, gjithsesi kemi të bëjmë me një Kombëtare ku do të luajnë disa nga emrat e mëdhenj të futbollit anglez.

- Kur presidenti Duka më informoi se do të luanim me Anglinë, u ndjeva i befasuar pasi Anglia është fuqia e tetë në futbollin Botëror. Edhe pse Anglia do të luajë zyrtarisht me versionin B, ajo posedon një potencial të jashtëzakonshëm, që pa dyshim nuk mund të krahasohet me atë shqiptar. Sinqerisht besoja se do të luaja me një ekip të plotë tonin, me Canën e titullarë të tjerë, që do të ishte dhe seleksioni që do të luante kundër Luksemburgut dhe jo me një ekip të ri. Gjithsesi nuk e shikoj si një ndeshje ku rezultati është qëllimi i parë, por si një test në funksion të ndeshjeve zyrtare. Kjo duhet pranuar nga të gjithë. Takimi me Anglinë i bën mirë futbollit shqiptar në të gjitha pikëpamjet dhe ndoshta mund të kemi edhe një ndeshje në të ardhmen në Shqipëri. Maksimalisht unë do të kërkoja një paraqitje të mirë. Do të jetë e vështirë, por për një ekip si Shqipëria asnjëherë nuk do të ketë kundërshtarë të lehtë.

Lista e Kombëtares kundër Anglisë padyshim që ka dhe emra të rinj, kjo e kushtëzuar edhe nga mungesat e shumë titullarëve?

- Në ekip kam thirrur Muratin, pavarësisht se cfarë ka thënë për mua. Ervin Skela do të jetë gjithashtu, pasi ai u është rikthyer ndeshjeve dhe me të unë kam folur edhe në telefon. Mesfushori Hyka është thirrur sërish, ndërsa Rustemi do të luajë ndeshjen e parë. Unë kërkoj që nga lojtarët bazë të jenë në top-formë, të cilën padyshim që do ta paraqesin edhe kundër Luksemburgut.
Për ndeshjen me Anglinë kam thirrur Sinanin. Unë dëshiroj ta shoh në aksion atë për të parë se cfarë lojtari është dhe ai vlen për ndeshjet me Luksemburgun.

A e dini se Bjellorusia ka fituar me Anglinë B 2-1 para një viti?

- Sigurisht që e di. Nëse Shqipëria do të kishte një ekip të plotë, edhe unë do të kisha si objektiv fitoren. E vërteta është se unë do të udhëtoj në Angli me një ekip jo të kompletuar. Më duhet të krijoj një mbrojtje ndoshta me Osmanin, Deden, Rustemin, kundër sulmuesve të klubeve më të mira angleze. U shkruajta letër drejtuesve të Vosklës dhe Metalurgut në Ukrainë për Dallkun, Currin e Beqirin, por klubet e tyre nuk i lejuan. Kjo do të thotë se unë duhet të ndërtoj dhe të paraqitem me një mbrojtje të re kundër Anglisë. Cana nuk do të jetë në mesfushë dhe Bogdani gjithashtu në sulm. Shqipërisë do t'i mungojnë të paktën gjashtë lojtarë bazë, kështu që më duhet të bazohem në një ekip thuajse të ri.

Një javë pas ndeshjes miqësore me Anglinë, vjen takimi me Luksemburgun. Një fitore morale e arritët kur këmbëngulët për stadiumin kombëtar "Qemal Stafa".
- Ne nuk mund të luanim në Elbasan. Personalisht nuk kam asgjë kundër klubit, drejtuesve të tyre. Unë do të isha i lumtur të shihja atje dy apo tri ndeshje kampionati, por nuk mund të isha dakord të luante Kombëtarja në një orë të papërshtatshme sic do të ishte ajo e orës pesë mbas dite. Temperatura ka qenë një nga arsyet e mëdha. Të gjithë presim fitore me Luksemburgun jo vetëm në Tiranë, por edhe në Luksemburg. Kjo nuk është vetëm dëshirë e imja, por lojtarët janë të ndërgjegjshëm se duhet të marrin maksimumin.
Intervistoi: Dash Frasheri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›