E Martë, 3 Nëntor 2026

Barleti Volej “i prish” kthimin Gurabardhit

Superliga e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra ka luajtur të premten në mbrëmje dy takimet e para të javës së saj të 4-t dhe në takimin e luajtur më herët në Shkodër, kampionia në fuqi, Partizani, ka fituar në 3 sete ndaj Vllaznisë vendase, me rezultatet e seteve që ishin 15-25, 17-25 dhe 21-25 në favor të skuadrës kryeqytetase. Ndërkaq, në takimin e zhvilluar më vonë në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 3, Tirana dhe Barleti Volej kanë patur nevojë për 5 sete për ta përcaktuar fituesen.

Në ndeshjen që vuri trajnerin veteran të rikthyer, Hasan Gurabardhi, tashmë në stolin e Tiranës, përballë ish-skuadrës universitare që e udhëhoqi për shumë vite, kanë qenë vajzat bardheblu që e kanë fituar setin e parë me shifrat 25-15. Por Barleti i drejtuar nga homologu Altin Gorenxa, ka reaguar në setin e dytë, duke e fituar atë me rezultatin 25-17. Por Tirana do të kthehet ta fitojë setin e 3-të me të njëjtat shifra, ndërsa seti i 4-t ka qenë i luftuar pikë më pikë.

Sidoqoftë, Barleti Volej e fiton këtë set me shifrat 25-22, duke e çuar kështu gjithçka në setin e 5-të dhe të fundit, të cilin do të vijojë ta fitojë me shifrat 15-11 dhe gjithë ndeshjen 3-2 me sete. Barleti Volej gjen kështu fitoren e dytë në këto 4 javë, ku i ka humbur dy sfidat e tjera, dhe ngjitet në kuotën e 5 pikëve, por është 7 pikë prapa Partizanit kryesues.

Të kuqet e kryeqytetit kanë marrë kreun me 12 pikë, duke lënë prapa Tiranën, që ka 10, dhe Skënderbeun, që ka 9 pikë, që pret të shtunën në Korçë Lushnjën, në ndeshjen që nis në ora 17:00. Më herët, duke nisur nga ora 13:00, po në të njëjtën sallë, atë të Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, Teuta është mysafire për t’u ndeshur me Pogradecin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›