Barnat ; Lista e rimbursueshme, gati brenda dhjetorit
Do të futen barna të reja për sëmundje të tjera që nuk janë në listën aktuale të barnave si dhe alternativa të tjera të barnave që janë në listën ekzistuese
Lista e barnave të rimbursueshme është në përfundim e sipër dhe pritet që deri në fund të dhjetorit ajo të publikohet. Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor deklarojnë se lista do të jetë gati brenda muajit. Ndërsa në fillim të muajit janar ajo do t’i shpërndahet çdo farmacie dhe mjeku familjeje.
Lista
Ministra e Shëndetësisë ka angazhuar Drejtorinë Farmaceutike në ministri nga ku bëhet e ditur se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që kjo projekt-listë të jetë gati brenda muajit dhjetor. Më pas, do të kalojë për miratim në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe së fundi do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave. Hyrja në fuqi me datë 1 janar 2010 e listës së re të barnave të rimbursueshme do të jetë e njëkohshme me lidhjen e kontratave që ISKSH bën me farmacitë dhe depot farmaceutike.
Çmimet
Burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se mbledhja vjetore e komisionit të caktimit të çmimeve të barnave për vitin 2010 dhe mbledhja e komisionit të hartimit dhe rishikimit të listës së barnave të rimbursueshme janë bërë. “Në këtë mënyrë projekt-lista do ketë kohën e nevojshme për t’u miratuar nga qeveria në muajin dhjetor që në datë 1 janar 2010 të jetë në dorë të mjekëve dhe farmacistëve në të gjithë Shqipërinë”, - deklarojnë burimet.
Në mbledhjen paraprake të këtij komisioni u prezantuan të gjithë anëtarët, u miratua rregullorja e funksionimit të këtij komisioni, si dhe kriteret e përfshirjes ose heqjes së barnave nga lista e rimbursimit. Më pas do të caktohet data e mbledhjes nga e cila do të dalë projekt-lista e barnave të rimbursueshme 2010.
Gjithashtu, mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohet rinovimi i çmimeve të barnave të listës ekzistuese sipas çmimeve të miratuara nga mbledhja, do të diskutohet për barnat që do të hiqen nga lista, konkretisht barnat që nuk tregtohen më (p.sh. për shkak të mbarimit të afatit të regjistrimit dhe mosriregjistrimit të tyre) etj., për heqjen e barnave të paefektshme ose për të cilat ekzistojnë alternative që kanë efekte shumë më të mirë se këto.
Sipas të njëjtave burimeve, diskutohet edhe për futjen e alternative të reja si formëdoza të barnave të listës ekzistuese, barna të reja për sëmundje të tjera që nuk janë në listën aktuale të barnave si dhe alternativa të tjera të barnave që janë në listën ekzistuese.
Zbulohet qeliza embrionale kundër HIV/AIDS
Një armë e re kundër virusit HIV/AIDS. Bëhet fjalë për qelizat embrionale të gjakut, të cilat mund të godasin dhe vrasin ato të goditura nga HIV. Zbulimi është kryer nga shkencëtarët e Universitetit Kalifornian të Los Anxhelesit sipas të cilëve është e mundur që nëpërmjet modifikimit gjenetik qelizat në gjakun njerëzor të kthehen në një vaksinë të fortë kundër HIV/AIDS. Në trupin e njeriut ekziston një qelizë imune e njohur si Cytotoksik T limfocite. Ka pacientë të sëmurë qelizat e të cilëve janë ende të forta e si rrjedhojë jetojnë më gjatë, ka të tjerë qelizat e të cilëve dorëzohen shumë shpejt para HIV/AIDS.
Virusi vdekjeprurës synon t’i pushtojë ato, por brenda këtyre qelizave ekziston një molekulë e njohur si receptori T. Ky i fundit ka tendencën të luftojë virusin pushtues, por ka nevojë për ndihmë. Shkencëtarët nëpërmjet eksperimentit të tyre kanë arritur të zbulojnë se po të merret Receptori T, të modifikohet gjenetikisht duke u kthyer në një qelizë të re e të injektohet në organizëm, atëherë qeliza e re mund të vrasë virusin HIV. Por krijimi në laborator i këtyre qelizave mund të jetë një proces i gjatë dhe i kushtueshëm. Pavarësisht se kjo kurë e re është akoma në fazën eksperimentale zbulimi mund të sjellë shpresë për miliona pacientë të sëmurë me HIV/AIDS.
Ministria e Mjedisit
Nis mbjelljen e pemëve në Bushat
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU) organizoi një aktivitet sensibilizues për mbjelljen e pemëve zbukuruese (manjola) në komunën e Bushatit, Shkodër. Në këtë aktivitet merrte pjesë ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, zoti Fatmir Mediu, së bashku me deputetin e kësaj zone z. Gjok Uldedaj, prefektin e Shkodrës, Maxhid Cungu, dhe kryetarin e komunës z. Zef Hila, gjithashtu merrnin pjesë dhe banorë të zonës përfaqësues të shoqërisë civile si dhe punonjës të sektorit të pyjeve.
“Ky aktivitet vjen si fryt i një procesi të gjatë të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në bashkëpunim me pushtetin lokal, -theksoi në fjalën e tij ministri Mediu. - Komuna e Bushatit është modeli më i mirë i pushtetit lokal në shërbim të komunitetit. Kjo komunë po bën një punë shumë të mirë për urbanizimin e zonës për trajtimin e mbetjeve urbane dhe përmirësimin e mjedisit që e rrethon”. Punimet që parashikohen të realizohen gjatë këtyre tre muajve nga MMPAU do të arrijnë vlerën prej 265 milionë lekë prej të cilave 190 milionë nga buxheti i shtetit dhe 75 milionë nga Projekti i Zhvillimit të Burimeve Natyrore. Në këtë investim përfshihen 450 ha pyllëzime, nga të cilët në pyjet komunale do mbillen me fidanë pyjorë 100 ha. Gjithashtu do të mbillen 900 mijë fidanë pyjorë të llojeve halore dhe fletore. Në pyjet komunale do të mbillen 150 mijë fidanë. Veç shtimit të sipërfaqeve me mbjellje të reja, do të ketë dhe përmirësime pyjore 2000 ha, prej të cilave në pyje komunale 1500 ha. Gjithashtu dhe sistemime malore 4000 m3, prej të cilave në pyjet komunale 2500 m3.