E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fabrikimi i krizës



Prej disa muajsh deputetë të Partisë Socialiste dhe kryetari i saj, Edi Rama, kanë vendosur të bojkotojnë Parlamentin, duke vënë si kusht të ndaljes së këtij bojkoti hapjen e kutive të votimit. Sipas Edi Ramës, hapja e kutive të votimit duhet të bëhet për shkak se zgjedhjet janë manipuluar dhe se hapja e tyre mund të vërtetojë një gjë të tillë. Tashmë janë evidentuar të gjitha problemet e këtij bojkoti që në hartimin e kushteve. Ja disa prej tyre:

-Edi Rama dhe mbështetësit e tij nuk kanë asnjë fakt për të mbështetur dyshimet e tyre. Mënyra më e lehtë dhe më e besueshme e Ramës për të dhënë ndonjë fakt kanë qenë vëzhguesit, por asnjë prej tyre, as vëzhguesit e huaj e as ata vendas nuk janë shprehur për vjedhje votash apo devijimin të vullnetit të votuesve, për ndonjë arsye apo tjetër. Një mënyrë tjetër është që kryetarët e komisioneve të numërimit apo nënkryetarët që në qendra numërimi çift ose tek i takonin PS-së, apo qoftë edhe ndonjë komisioner socialist, të deklaronte se gjatë votimit apo numërimit ka pasur falsifikim apo përdredhje votash. Nga rreth 20 mijë komisionerë, asnjë prej tyre nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për alibinë e Ramës dhe vetë Rama nuk ka siguruar dëshminë e ndonjërit për të mbështetur qoftë edhe zbehtë alibinë e tij.

-Edi Rama ia kërkon hapjen e kutive Kryeministrit Berisha dhe mazhorancës, kur ajo nuk ka asnjë të drejtë për të ndërmarrë një hap të tillë, edhe nëse është dakord me kërkesën e Ramës apo ka edhe ajo dyshimet e veta të tilla si: mandati i nëntë i PS-së në Fier është marrë në mënyrë të padrejtë prej socialistëve.

-Edi Rama ndërton presion mbi mazhorancën për një problem që duhet ta zgjidhë, nëpërmjet ligjit zgjedhor, me KQZ-në, një institucion parlamentar dhe Kolegjin Zgjedhor po ashtu të ndërtuar prej Parlamentit. Nëse mund të gjendet një zgjidhje, ajo vjen vetëm prej Parlamentit, pikërisht prej atij institucioni, ku Rama nuk pranon të shkojë.

Pak a shumë këto janë disa prej çështjeve që shterojnë argumentin e Ramës për bojkotin, duke e lënë atë në shtigje të pakalueshme politike, as nëpërmjet një dialogu politik dhe as nëpërmjet një ofertë po politike.

Por pavarësisht këtyre argumenteve, që janë një rezultante e shumë e shumë diskutimeve rreth bojkotit të Ramës dhe rrugëve që kanë çuar në bojkot, e rrugëve që mund ta nxjerrin atë nga bojkoti, në jo pak raste është kërkuar debati politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ajo është kërkuar nga ndërkombëtarët, ambasadorët e rëndësishëm në Tiranë, gjithnjë shoqëruar me kërkesat e tyre për t’i dhënë fund bojkotit. Por ajo që është më tepër e dukshme ndër deklaratat e ndërkombëtarëve ka të bëjë me faktin se asnjëri prej tyre nuk konsideron si çështje debati pretendimin madhor të Ramës, cilësinë e zgjedhjeve. Këtë nuk e thotë as ambasadori amerikan, nuk e thotë as ambasadori i BE-së, as ai i OSBE-së, as drejtuesit e lartë të Komisionit Evropian, as ministrat apo kryeministrat evropianë, të majtë a të djathtë që u ka rënë rasti të shprehen për politikën në Shqipëri. Këtë nuk e kanë thënë as faktorë të brendshëm e të mundshëm negocimi si Presidenti i Republikës. Ky i fundit ka deklaruar se zgjedhjet kanë qenë të rregullta dhe pas një takimi që kishte dje me kryetarin socialist, nuk dha ndonjë deklaratë rreth bisedimeve, çfarë mbetet si referencë deklarata e mëparshme për zgjedhjet.

Pra në të gjitha premisat, e vetmja që bie që në fillim, është ajo që Rama ka vendosur që në krye për t’i prirë bojkotit të tij. Pra, kryetari i PS-së nuk ka argument të negociueshëm në një tavolinë, ose ajo që ai quan kusht është i panegociueshëm.

Po pse Rama ka zgjedhur një kusht të panegociueshëm për të përligjur largimin e tij nga Parlamenti. Ka disa mundësi, por dy prej tyre mund të jenë më tipiket: nuk e dinte që ishte i panegociueshëm, por u dha pas tij, pasi ishte kusht i fortë. Ose e ka ditur se ishte i panegociueshëm dhe pikërisht për këtë arsye edhe e ka zgjedhur.

Si shumë të tjerë besoj të dytën, pasi brenda PS-së ka aq ekspertizë politike sa t’ia thoshin Ramës se çështja e zgjedhjeve kalon përmes ligjit zgjedhor dhe se ky i fundit është ezauruar plotësisht edhe me bekimin e socialistëve.

Pra në të gjitha rastet, topi nuk është te dera e Berishës për të ofertuar vendimet e opozitës. Për ato që ka kërkuar Rama, ai nuk ka zgjidhje dhe aq me pak prej andej nga i kërkon Rama, pra prej rrugës. Mbetet të konsumohet absurdi i grupit parlamentar socialist deri në fund për të kuptuar maskën politike që i ka veshur Edi Rama një vendimi jopolitik.

Debati është normal të fillojë mes mazhorancës dhe opozitës, për të rregulluar shumë gjëra që e kanë të nevojshme edhe opozitën, edhe mazhorancën, por jo për të inkurajuar në politikë vese të njëfarë lloj rrugaçi, i cili nuk ka muskuj të fortë, por ka një dorezë metalike në dorë dhe niset për të shkuar te qëllimi jo nëpërmjet idesë siç shkojnë politikanët por nëpërmjet mjetit, dhe vetëm atij, siç shkojnë rrugaçët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›