Nëntori rrit çmimet e konsumit
Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin nëntor 2009 arriti 104.1 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin nëntor është 2.8 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.6 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 0.8 për qind, me një ndikim prej 0.3 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 11.9 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate, përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen me mbi 50 për qind të çmimeve të specave, kastravecëve dhe patëllxhanëve, rritjen e çmimit të spinaqit me 30.6 për qind, bishtajave me 19.8 për qind, domateve me 4.7 për qind etj. Gjatë muajit nëntor çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupet, “Sheqer, reçelra, mjaltë etj.” 0.8 për qind, “Qumësht, djathë e vezë” 0.3 për qind, “Peshk” 0.8 për qind etj. Ndërsa çmimet e nëngrupit “Fruta” shënuan një ulje prej 8.3 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të mandarinave me 24.5 për qind, limonave me 22.5 për qind, portokalleve me 21.5 për qind, kivit me 17.6 për qind, bananeve me 3.2 për qind etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një rritje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimet e veshjeve u rriten me 0.2 për qind ndërsa çmimeve e këpucëve u ulën me 0.2 për qind..
Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 1.0 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 2.0 për qind. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.6 për qind. Gjatë muajit nëntor çmimet e karburanteve shënuan një rritje dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 2.5 për qind, dhe çmimi i benzinës 1.4 për qind. Indeksi i grupit “Shërbimi arsimor” shënoi një rritje prej 1.0 për qind, ku mund të përmendim rritjen e tarifave të pagesës në universitetet me 2.1 për qind. Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga -0.1 për qind në + 0.1 për qind.