Barometri për masat e pandemisë, KSHH: Kufizimet u vendosën pa konsultime dhe cënuan parimin e propocionalitetit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi rezultatet e Barometrit Kombëtar sa i përket ndikimit të kufizimeve gjatë pandemisë te liritë dhe të drejtat e njeriut.
Drejtoresha ekzekutive e KSHH Erida Skëndaj tha se kufizimet e vendosura gjatë pandemisë nëpërmjet akteve normative u bënë pa konsultim dhe cënuan parimin e proporcionalitetit.
“Synimi i Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit mund të arrihej me masa më pak represive, të përshkallëzuara dhe të planifikuara më herët. Interesi që u mbrojt ishte jeta dhe shëndeti i çdo qytetari. Por kur vihet në diskutim parimi i proporcionalitetit, diskutohet a mund të arrihej ky qëllim me masa më pak represive?”, tha ajo.
Barometri, i cili është zhvilluar me një kampion prej 800 personash, ka matur edhe perceptimin e qytetarëve sa u përket kufizimeve. Ata janë shfaqur të ndarë për mbylljen e shkollave dhe transportit publik.
Ndërkohë thuajse të gjithë personat mbi 60 vjeç e kanë cilësuar të pamundur përballimin e mjekimeve. 61% e të anketuarve kanë thënë se kufizimet kanë ndikuar në liritë e tyre ekonomike dhe sociale.
Barometri nënvizon se janë mbajtur standarde të dyfishta sa i takon tubimeve, si dhe janë aplikuar në mënyrë selektive masat administrative.
/rtsh/