Ashton viziton Kosovën, takohet me presidenten dhe kryeministrin
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kosovë.
Gjatë ditës së sotme ajo është takuar me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe më pas me kryeministrin Hashim Thaçi.
Takimi me Thaçin po mbahet me dyer të mbyllura, ndërkaq Ashton pritet që sot të takohet edhe me përfaqësues të opozitës ku do të diskutohet ratifikimi i Ligjit për Amnisti, por edhe pika të tjera të marrëveshjes se arritur në mes të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut serb Ivica Dacic.
Kjo vizitë bëhet pasi të hënën në mbrëmje në Bruksel përfundoi rundi i 13 i takimit ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, me ndërmjetësimin e zonjës Ashton.
Ndërkohë, dje Ashton ka vizituar Beogradin, ku është takuar me presidentin Tomisllav Nikoliç dhe kryeministrin serb, Ivica Daçiç.
Ajo ka përshëndetur përparimin e arritur në bisedimet me Kosovë dhe ka theksuar se ka qenë e kënaqur kur anëtarëve të BE-së iu ka prezantuar atë përparim. Sipas saj ekzistojnë rezultate konkrete në implementimin e marrëveshjes së Brukselit.
Për herë të 13-të kam takuar kryeministrat Daçiç dhe Thaçi dhe do ti takoj sërish, bisedimet do të vazhdojnë në javën dhe muajt para neve. Nuk do të ketë pushime verore për të gjithë, sepse duhet të tregojmë përparim, ka thënë Ashton.
Në anën tjetër, Nikoliç ka deklaruar se Serbia vazhdon me ritëm të njëjtë në përmbushjen e deturimeve që ka marrë nga BE-ja, por edhe ndaj qytetarëve të saj kur bëhet fjalë për jetë më të mirë.
Ai ka shtuar se Ashtonit i ka thënë edhe një herë që Serbia kurrë nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës dhe se ajo ia ka kthyer atij se këtë në BE e dinë dhe se askush nga Serbia nuk po kërkon pranimin e Kosovës.