E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barrikadë në Bathore, përplasen militantët e PS-së dhe PD-së

SHKRUAN: Habjon Hasani 11-04-2011 14:32

Një perimetër sigurie prej afro 35 metrash në mes të rrugës, i rrethuar me kordona policie, ndante pasditen e djeshme dy grupe militantësh të revoltuar në Bathore. Një incident banal mes djemsh të rinj, për pak sa nuk shkaktoi një përleshje mes qindra militantëve të cilët kanë qëndruar për thuajse 4 orë nën mbikëqyrjen e rreptë policore përballë njëri-tjetrit. Gjithçka mori shkas rreth orës 16:00 të pasdites së djeshme. Një autokolonë me afro 6 automjete me flamujt dhe tabela, në mbështetje të Partisë Socialiste, ishin ndalur anës rrugës në pritje të të tjera automjeteve. Duke u parkuar anës rrugës, shoferët e 6 automjeteve po prisnin të tjerë simpatizantë të Partisë Socialiste me makina, për t’u grupuar dhe për të parakaluar me flamuj rrugëve të Bathores dhe Kamzës. Duket se vendi që kishin zgjedhur për tu grupuar, u ka rezervuar një ngjarje të paparashikuar. Aty pranë, një grup prej rreth 10 djemsh të rinj, kanë nisur të këmbejnë fjalë dhe ofeza reciproke me militantët e Partisë Socialiste. Dy prej djemve kanë marrë nga një levë në dorë dhe kanë goditur dy prej automjeteve të militantëve socialistë. Automjetet kanë qenë në pronësi të militantëve socialistë, Elvis Vladi dhe Ardian Aliu. Fatmirësisht hovin e dy djemve demokratë, që kanë goditur me leva automjetet, e kanë ndërprerë vetë shokët e tyre të cilët i kanë sprapsur. Por kaq u desh dhe militantët socialistë nga ana e tyre të mblidheshin edhe më shumë duke bllokuar rrugën, njoftuar policinë dhe duke kërkuar me doemos ardhjen e mediave në terren. Pasi kanë bllokuar rrugën për më shumë se 20 minuta dhe duke mos iu bindur policisë për të hapur rrugën, paralelisht nga ana tjetër e rrugës nisën të grupohen militantë të Partisë Demokratike. Kjo bëri që policia të ndërtonte një perimetër sigurie, në mes të rrugës, për të parandaluar përplasjen fizike mes grupeve që ofendonin reciprokisht në distancë njëri-tjetrin. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë disa nga drejtuesit kryesorë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, si Gjergji Jorgo dhe Dorian Muça, të cilët kanë marrë në dorë direkt drejtimin e forcave policore në terren. Për më shumë se 1 orë e gjysmë nga krijimi i perimetrit të sigurisë, askush nuk dinte se kur do të merrte fund zbrapsja e dy grupeve. Rreth orës 17:30, përfaqësues së Policisë Bashkiake të Kamzës, si dhe përfaqësuesi socialist Pjerin Ndreu, në praninë e zyrtarëve të Policisë së Shtetit kanë nisur negociata për të gjetur një rrugëzgjidhje. Për gati thuajse dy orë, asnjëra nga palët nuk pranonte të tërhiqte militantët e vetë. Përfaqësuesi socialist, Pjerin Ndreu refuzoi ftesën e policisë për të ndryshuar drejtimin e militantëve socialistë dhe për t’i zbrapsur ata. “Zotërinj ushtroni autoritetin e ligjit. Ne jemi nisur në këtë drejtim dhe ja ku e ke grupimin përballë që na preu rrugën dhe na goditën me leva. Përse duhet të kthehem mbrapsht unë, ne e kemi përpara drejtimin se do shkojmë në tubim elektoral, zbatoni ligjin, zbatoni Kodin Zgjedhor”, u është drejtuar Ndreu me këmbëngulje drejtuesve të policisë dhe përfaqësuesve të palës tjetër. Vendosmëria e militantëve socialistë, për të mos u kthyer mbrapsht, irritoi dhe palën tjetër, e cila gjithashtu nga ana e saj refuzonte të shpërndahej e para. Zgjidhja ka ardhur thuajse natyrshëm, pas thuajse 3 orësh tension, në momentin kur përfaqësuesit e Partisë Socialiste nisën të mbajnë mitingun, pikërisht ngjitur me perimetrin e sigurisë. Porsa nisi mitingu i socialistëve, përfaqësuesit e Partisë Demokratike nisën shpërndarjen e militantëve të tyre. Porsa njëri “krah” i barrikadës nisi të shpërndahej, situata menjëherë u ç’tensionua dhe nisi shpërndarja edhe e militantëve socialistë. Menjëherë pasi janë shpërndarë përfaqësuesit e të dyja palëve, i kanë hipur makinave duke rikrijuar autokolonat me postera dhe duke parakaluar sërish rrugëve të Bathores.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›