Dëshmia: Militantët demokratë nuk na lejojnë vendosjen e flamujve
Besnik Buçi është banor i Bathores, prej shumë vitesh emigrant. Është ndër të parët militantë dhe anëtarë të Partisë Socialiste në këtë zonë. Në një intervistë për “MAPO”-n, Buçi shprehet se gjendja për mbështetësit e Partisë Socialiste në Bathore është shumë e disfavorshme pasi, sipas tij, gara nuk është aspak në kushte të barabarta dhe presionet janë të përditshme.
Zoti Buçi, përse jeni këtu dhe po protestoni?
Për shkak të padrejtësive që po na bëjnë njerëz të caktuar, të paguar nga kandidati i Partisë Demokratike.
Çfarë padrejtësie ju është bërë?
Pikërisht sot ndodhi një prej problemeve, pasi ka dy javë që kjo punë është në zonën tonë. Sot disa djem me makina, me flamuj socialistë, u ndalën anës rrugës për tu grupuar dhe për të formuar një autokolonë. Në një moment, mbështetës të partisë tjetër kanë nis e kanë provokuar dhe kanë goditur më pas me leva dy prej këtyre makinave. Ne nga ana jonë u organizuam dhe kërkuam sensibilizimin e mediave dhe gjithë opinionit, duke bllokuar pikërisht në atë vend rrugën.
Për ku do shkonte kjo autokolonë me socialistë që priste të grupohej?
Nuk do shkonte në një destinacion të caktuar. Prej dy javësh, në këtë zonë organizohen autokolona nga të gjitha partitë me flamujt përkatës. Për Partinë Socialiste është hera e parë që në Bathore dhe në Kamëz, militantët e saj krijojnë autokolona.
Ka pasur incidente dhe ditët e kaluara?
Incidenti më i fundit ka qenë më datën 8 prill në mbrëmje. Ne vendosëm flamuj në shtyllat elektrike dhe nuk i prekëm flamujt që kanë vendosur demokratët më parë aty. Atë natë, një makinë e mbledhjes së mbeturinave na preu rrugën. U krijua një tension shumë i madh dhe vetëm pasi militantët tanë nisën të përmbysnin këtë makinë, u gjetën çelësat e saj dhe u zhbllokua rruga. Këtu është fushata e parë që socialistët vendosin flamuj, pasi më parë ka qenë e paimagjinueshme dhe shumë militantë të palës tjetër u duket sikur flamujt socialistë janë diçka që nuk mund të valviten në Bathore. Jemi në vitin 2011 dhe nuk mund të ketë Jeruzalem demokrat këtu në Bathore.