E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet djali i viktimës së 21 janarit

Bardhosh Myrtaj, djali i Faik Myrtaj, i vetëvrarë dje në fshatin Kreshpan të Fierit. Majtas, faqja e viktimës në Facebook

Një mesazh në Facebook dhe telefonatat e kryera në momentet e fundit vëllait dhe dajës i kanë bindur familjarët e 22-vjeçarit Bardhosh Myrtaj se ai është vetëvrarë.Trupi i pajetë i të riut, djali i një prej viktimave të demonstratës së 21 janarit, Faik Myrtaj, u gjet paraditen e djeshme në zonën e njohur si “Antenat”, në fshatin Kreshpan, komuna Cakran në Fier.
Arma tip pistoletë pranë viktimës dhe plumbi i vetëm në kokë çuan policinë të konkludojë pas tri orësh se bëhet fjalë për një vetëvrasje të pastër, ndonëse përfundimi i saktë pritet të bëhet i ditur pas ekspertizës së plotë.
Burime nga fshati Kreshpan tregojnë se ngjarja ndodhi rreth orës 11:55 të ditës së hënë. Vetëm një orë më parë, në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Myrtaj kishte shkruar: “Nëse s’e ke zgjedhur rrugën tënde, atëherë zgjidh më të mirën, se unë fitova lotarinë”. Ai mendohet të jetë larguar menjëherë më vonë drejt kodrës ku janë të vendosura antenat e telefonisë celulare dhe prej andej ka telefonuar fillimisht vëllanë e madh e më pas dajën. Vëllait mësohet t’i ketë thënë që të shkonte në kodër, të merrte motorin, ndërsa dajës, duke i treguar se ku ndodhej, i ka kërkuar që të shkonte dhe ai bashkë me të vëllanë, të mos e linte atë vetëm. “Eja këtu, në kodër, të marrësh motorin tim , mos e lër vetëm Enrin”. Me këtë të fundit djali i ri ka nënkuptuar kështu se i vëllai duhej të ishte i shoqëruar për t’u përballur me skenën që do të gjente në kodër. Daja dhe nipi kanë vrapuar për te vendi i treguar nga Bardhoshi, por ka qenë tepër vonë. Një plumb e kishte përshkuar në kokë 22-vjeçarin. Menjëherë është bërë transportimi i tij për në spitalin e Fierit, ku mjekët pohuan pak çaste më vonë se ai kishte ndërruar jetë. Forca të shumta të policisë dhe prokuroria e rrethit nisën hetimet për ngjarjen, e cila, për shkak të vrasjes së të atit në demonstratën e opozitës, u dyshua se kishte të bënte me një krim të qëllimshëm. Grupi hetimor ka marrë në pyetje familjarët e tronditur, të cilët kanë mundur të shpjegojnë se që pas vdekjes së Faik Myrtajt, djali i vogël kishte shfaqur shenja të depresionit. Para 21 janarit, bashkë me vëllanë, dy vjet më të madh, Bardhoshi kishte jetuar në Itali, por pas vrasjes së babait të tyre vendosën të qëndronin në fshatin e Cakranit, bashkë me nënën. Pasi kanë mësuar humbjen e djalit të tyre, të afërmit e familjes Myrtaj janë mbledhur në morgun e spitalit të Fierit. Aty kanë mbërritur dhe përfaqësues të Partisë Socialiste të rrethit. Për të zbardhur rrethanat e vdekjes së 22-vjeçarit, në Fier kanë shkuar ekspertë nga Policia e Shtetit. “Gjatë ecurisë së hetimeve u konstatua se shtetasi Bardhosh Myrtaj është vetëvrarë me armë zjarri, pistoletë”, deklaroi zyrtarisht Policia e Fierit pak kohë pas ngjarjes. Sipas saj, grupi hetimor i ngritur enkas po vazhdon punën intensivisht për zbardhjen e shkaqeve, rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Kushëriri: Plagë më e madhe se vrasja e Faikut

Hajrulla Myrtaj, i afërm i familjes së viktimës, mes lotësh tregoi dje se Bardhoshi ishte bërë i heshtur pikërisht pas vrasjes së të atit në protestat e 21 janarit.
Si e morët njoftimin për vdekjen e tij dhe si e gjetët Bardhoshin?
Na njoftuan të afërmit. E gjetëm me frymë, jetonte dhe pavarësisht dhimbjes që na kishte pushtuar, shpejtuam për ta çuar në spital. Kishim shpresë, ndonëse nuk dinim ç’të bënim. Nuk donim ta humbnim edhe Bardhoshin. Na mjaftonte plaga e pambyllur ende për humbjen e Faikut.
Si sillej djali kohët e fundit? A kishte lënë ai për të kuptuar që kishte probleme?
Është kaq e pabesueshme, megjithëse ai kishte ndryshuar pas vdekjes së të atit. Ishte një djalë i tërhequr dhe ndonjëherë dukej indiferent nga jeta e përditshme dhe realiteti përreth. Bardhoshi u bë i heshtur e i mbyllur në vetvete pas vdekjes së të atit në demonstratë. Fliste pak, nuk përzihej shumë dhe, herë-herë, se si dukej. Besoja se i vinte nga dhimbja.
Punonte? Me çfarë merrej Bardhoshi?
Aktualisht, këtu, i papunë, në fshat, siç e thashë, pak i distancuar. Nuk fliste dhe nuk bëhej pjesë e komenteve e diskutimeve. Kishte qenë me të vëllanë në Itali, por tani rrinin në fshat. Qysh prej vdekjes së babait, ata nuk ikën më në shtetin fqinj. Ky ishte djali i dytë i familjes, ndërsa tjetri është 2 vjeç më i madh.
Jeni të bindur në vetëvrasje, apo keni dyshime?
Në rrethana të tjera mbase do të kishim pasur dyshimet tona, por, duke qenë se ai komunikoi me familjarët, me dajën dhe të vëllanë, nuk kemi dyshime. Na hoqi koren e plagës ende të papërtharë. Na hapi kujën e re. Kjo është plagë më e madhe se ajo e Faikut.

Zeqaj anulon takimet për mortin

Në familjen Myrtaj, për të shprehur ngushëllimet dhe për t’iu ndodhur pranë në dhimbje, ka qenë dje edhe kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj. “Më njoftuan fillimisht kur djali ishte në jetë. Sapo u nisa për në spital, më vjen dhe lajmi i kobshëm për fundin e jetës së tij. Jam tronditur dhe e kam të vështirë të bëj koment, por djali të paktën siguroi rrethanat e vetëvrasjes duke njoftuar familjen”, ka thënë mes të tjerash kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj. Ai ka deklaruar gjithashtu se do t’i gjendet familjes Myrtaj pranë për çdo nevojë. Ndërkohë, kreu i Bashkisë, njëherësh kandidat për një mandat tjetër, ka anuluar të gjitha takimet e tij elektorale ditën e martë, në shenjë kortezie për këtë ngjarje të rëndë, ndodhur në familjen Myrtaj në Kreshpan të rrethit të Fierit.

Vrasja e Faik Myrtajt, ende mister

Po mbushen 3 muaj nga demonstrata e 21 janarit, ku 4 persona humbën jetën ndërsa i ishin bashkuar lëvizjes së opozitës. Faik Myrtaj, 50 vjeç, ishte demonstruesi i tretë që u vra nga plumbat që nuk dihet ende se nga cila armë dolën dhe nga kush u qëllua. Sipas hetimeve të deritanishme, Myrtaj u qëllua me një plumb në zemër, prej nga gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa ndodhej në rrugicën mes Gjykatës Kushtetuese dhe dy kullave, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Deri tani është kryer ekspertimi i 75 automatikëve dhe 20 pistoletave të Gardës, por nga asnjëra prej tyre nuk është vërtetuar të ketë dalë plumbi që i mori jetën Myrtajt. Banorë të fshatit Kreshpan treguan një ditë pas ngjarjes se Faik Myrtaj ishte nisur bashkë me ta në demonstratën që zhvillohej në Tiranë, por ata ishin shkëputur gjatë ditës dhe janë kthyer në Fier pa e ditur se ç’kishte ndodhur.

FIER/ Majlinda Rama

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›