E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: Ky vit i rëndësishëm për Maqedoninë

Presidenti i Komisionit Evropian (KE), Hoze Manuel Barroso ka theksuar se Maqedonia duhet sa më shpejt të zgjidhë kontestin e emrit, të përmbyll Marrëveshjen e Ohrit me rastin e 10 vjetorit të saj, të bëjë përparime në dialogun politik dhe realizimin e reformave.

Këto kanë qenë edhe ndër pikat kyçe të takimit që Barroso ka zhvilluar dje me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski dhe presidentin Gjorgji Ivanov.

Sipas tij, ky vit është i rëndësishëm për vendin, për tu mbajtur momentumi i reformave, sepse siç nënvizoi ai, do të ballafaqohet vendi me rreziqe të mëdha, duke ngecur në procesin e përafërimit në BE.

“Besoj se vendi juaj duhet të vazhdojë negociatat me BE. Ne kemi dhënë propozimin, por për këtë duhet që të zgjidhet çështja e emrit. Shpresoj se kjo do të ketë zgjidhje së shpejti, dhe jo më vonë. Kryeministrit i`a kam bërë me dije nevojën për përparimin e dialogut politik, reformave gjyqësore dhe administrative, luftën kundër korrupsionit si dhe përshpejtimin e përpjekjeve me qëllim që agjenda evropiane të kthehet në vendin e saj”, deklaroi Barroso, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Nikolla Gruevski.

Ai tërhoqi vërejtjen edhe për zgjedhjet e parakohshme, duke shtuar se është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë transparente dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski deklaroi se në këto takime është rënë dakort që të vendoset dialogu midis Maqedonisë dhe BE në nivele më të larta, duke vijuar takime të rregullta dy herë në vit në Shkup dhe Bruksel.

Sipas tij, kontesti i emrit ka qenë edhe temë e bisedës me Barroso, ndërsa Gruevski ka përmendur sërish se kjo problematikë po rrezikon realizimin e prioriteteve nacionale të vendit. Ai shtoi se Qeveria do të jetë e angazhuar që të arrihet një zgjidhje kompromisi në kuadër të procesit që zhvillohet nën ombrellën e OKB-së.

Gruevski ka përsëritur se para presidentit të KE-së ka shpalosur prioritetet kryesore të vendit si reformat në gjyqësor, administratën shtetërore, luftën kundër korrupsionit, reformat ekonomike dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Barroso ka shtuar se ky vit është një vit special për Maqedoninë, pas iqë shënohet 10 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshja e Stabilizim – Asocimit dhe 20 vjetori i pavarësisë së vendit.

Presidenti i KE-së nuk është përgjigjur se deri në fund të vitit Maqedonia a do të përfitojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Përfaqësuesi i lartë i KE-së është takuar edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, si dhe liderët e dy partive, Branko Cërvenkovskin e LSDM-së dhe Ali Ahmetin e BDI-së. Qëndrimi i presidentit të KE-së në Shkup nën shoqërimin e evrokomisionerit për zgjerim, Stefan Fule ka qenë në kuadër të turneut treditor në Ballkan.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›