Barroso: Në parim Shqipëria e merr statusin në dhjetor. Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme
Kryeministri Edi Rama takoi në Bruksel edhe presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, me të cilin doli në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Barroso tha se Shqipëria në parim e merr statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti, ndërsa vlerësoi zgjedhjet si të lira dhe të ndershme.
Barroso tha se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian.
Jam i lumtur që dëgjova Ramën që më bëri të ditur se prioriteti i Shqipërisë është integrimi dhe se qytetarët shqiptarë e mbështesin fort këtë, tha Barroso, duke shtuar se inkurajon qeverinë e re për dialog me opozitën dhe qytetarët.
Nuk ka kohë për të humbur, reformat duhet të shpejtohen, jo për ti bërë nder KE-së, por shqiptarëve, tha Barroso, duke theksuar sidomos nevojën për reforma në fushën ekonomike.
BE mendon se kjo është një mundësi historike e artë, që duhet kapur. Ju duhet të mbështeteni tek partnerët për integrimin, tha Barroso.
Kurse kryeministri Rama tha se votimi i 23 qershorit i ka ngarkuar me përgjegjësi të mëdha.
Kjo ka qenë një votë për të ndryshuar vendin për mirë, tha Barroso, duke shtuar se opozita do të përfshihet në procesin e integrimit.
Rama tha se Shqipëria dëshiron marrjen e statusit kandidat, për të hapur më vonë negociatat me BE-në.
I pyetur nga gazetarët, sërish Barroso tha se duhet luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe konsolidim i institucioneve demokratike.
Barroso u kërkoi të gjithë shqiptarëve që të mobilizohen për të punuar për vendin e tyre.
Kurse Rama tha se marrja e statusit kandidat është një objektiv që mund të arrihet.
Jam i bindur se me mbështetjen e BE-së dhe të opozitës në Shqipëri, do jemi gati për lajme të mira./ep