Meta: Sdo e heq portretin e Nishanit sepse se gjeta në zyrë. Topi: Këtë praktikë e nisi Topalli
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, iu përgjigj deklaratave me mllef të presidentit Bujar Nishani për heqjen e portretit të tij nga zyrat e shtetit.
Meta tha se ai nuk do e heqë portretin e Nishanit për faktin se nuk e ka gjetur atë në zyrë.
Meta shtoi se në zyra do vendoset fotoja e Ismail Qemalit si simbol bashkimi.
Sa i takon kësaj, kjo nuk duhet keqkuptuar sipas mendimit tim. Nuk mund ta heq portretin e presidentit nga zyra e kryetarit të Kuvendit, sepse nuk e kam gjetur portretin e tij në këtë zyrë, por do ta vëmë javës tjetër foton e tij në zyrën e Kuvendit, në respekt të asaj që përfaqëson Kuvendi dhe të asaj që përfaqëson presidenti në Kushtetutë, ashtu sikurse do të vëmë kudo portretin e themeluesit të shtetit tonë, Ismail Qemalit.
Ndërkohë në një intervistë për gazetën Telegraf, ish- presidenti Bamir Topi tha se precedentin e heqjes së portretit e nisi ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në atë kohë ishte ndezur konflikti mes kreut të shtetit dhe mazhorancës. Mllefi i këtyre të fundit arriti kulmin kur vendosën që të zhdukin portretin e Topit nga zyrat e tyre.
Tani ankohen se përse u hoq Bujar Nishani, për më tepër më një vendim qeverie, që ka qenë premtim elektoral./ep
