Basha: 2 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, SPAK bëjë hetime të thella

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi të shtunën transparencë për lejet e ndërtimit të dhëna në Tiranë. Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Basha deklaroi se mbi 2 miliardë euro janë pastruar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri sipas raporteve ndërkombëtare.
“PD, përmes këshilltarëve të saj në Tiranë ka kërkuar të dhëna të plota mbi lejet e ndërtimit në kryeqytet. Bashkia e Tiranës e ka detyrim të bëjë transparencë për lejet e dhëna, ndërsa SPAK duhet të ndërmarrë një hetim të thellë e të papenguar në mënyrë që Tirana të mos jetë oaz i krimit dhe politikanëve të korruptuar që pastrojnë paratë në sektorin e ndërtimit. “- shkruan Basha.
Sipas tij, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij konstaton se Shqipëria është “destinacion kryesor i pastrimit të parave” dhe se në 2020, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GITOC) konstatoi se ndërtimet në Shqipëri ishin një mënyrë e preferuar për pastrimin e parave.
“Në 2021, arrestimi i dhjetëra anëtarëve të Ndranghetës në Itali zbuloi lidhjet e tyre me sektorin e ndërtimit në Shqipëri. Përgjimet si pjesë e hetimit zbuluan se njëri prej të dyshuarve ka deklaruar: “Në rrokaqiejtë e rinj, çmimet shkojnë rreth 3800-4000€ për metër katror. A e dini sa është kostoja e vërtetë? 510€.” Ndonëse SPAK nisi një hetim paraprak në shkurt të vitit 2021, nuk ka akoma asnjë të dhënë se çfarë po ndodh me këtë hetim.”- shkruan Basha.
Sipas tij, miliona metra katrorë leje ndërtimi raportohen se janë dhënë në Tiranë vitet e fundit.
“Shumica e kompanive nën emrin e të cilave merren lejet e ndërtimit nuk kanë kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Bilanci i kompanive tregonte se ato kanë të ardhura minimale dhe nuk kanë asete apo kredi që mund të përdoren për financimin e projekteve. Nga vijnë këto para? Kush fshihet pas tyre? Kush dhe si i siguron lejet e ndërtimit në emër të këtyre kompanive modeste? Paratë e kujt po pastrohen me ndërtimet në Tiranë?”- janë disa pyetje që shtron Basha , duke kërkuar nga SPAK të bëjë trancparencën e ndërtimeve.
/rtsh.al/