Deputeti grek takon Belerin: Të betohet si Kryebashkiak, në të kundërt prishen marrëdhëniet shqiptaro-greke

Greqia vijon të shprehë mbështetjen ndaj kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, i cili prej 12 majit mbetet në paraburgim.
Të shumtë kanë qenë zyrtarët e lartë grekë që zhvilluar takime me Belerin në ambientet e paraburgimit, mes të cilëve edhe ambasadorja greke në Shqipëri.
Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë është vizituar pak më parë në ambientet e paraburgimit, nga deputeti grek i partisë Demokracia e Re, Angelos Syrigos. Ky i fundit deklaroi për mediat se dështimi i qeverisë shqiptare për të marrë masat e nevojshme për lirimin e Belerit për të kryer betimin, po krijon rrezik serioz për largimin e tij nga zyra e Kryebashkiakut.
Kjo, theksoi deputeti grek, do të shkaktojë një prishje të marrëdhënieve shqiptaro-greke.
“Kam ardhur në emër të qeverisë greke dhe të partisë Demokracia e Re për të parë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i cili ndodhet në burg prej 3 muajsh. Dështimi i qeverisë shqiptar në marrjen e masave të nevojshme për lirimin e Belerit ose për betimin e tij po krijon një rrezik shumë serioz për heqjen e tij nga zyra e kryebashkiakut. Kjo do të shkaktojë një prishje serioze të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kemi tri probleme: i pari është sundimi i ligjit, i dyti është prezumimi i pafajësisë për një person të zgjedhur për kryebashkiak dhe i treti është respektimi i të drejtave civile. Do të flas për problemin e tretë, sepse është e pakuptueshme për ne dhe Bashkimin Europian se pse një person i zgjedhur dhe nuk ka kaluar në gjyq, nuk mund të shkojë në zyrën e kryebashkiakut për të bërë betimin. Është problem serioz për ne dhe nuk ka të bëjë aspak me burgosjen e tij. Këto probleme merren seriozisht në konsideratë nga Bashkimi Europian dhe mund të bëhen pengesë serioze për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe për negociatat, të cilat do të nisin shumë shpejt”, tha ai.
Deputeti grek u pyet edhe mbi akuzën që rëndon mbi Belerin, duke thënë se në zgjedhjet vendore të 14 majit, ka pasur 31 akuza për korrupsion, por asnjë prej tyre, përjashto rastin e Belerit, nuk rezultoi me arrestim.
“I di akuzat. Ka pasur 31 akuza për korrupsion në zgjedhjet lokale të majit në Shqipëri, por vetëm një rast, ai i Fredi Belerit, rezultoi me burgosje. Ky ishte rasti i vetëm. E dyta, të kuptohemi që ai është në burg, ndaj prezumimi i pafajësisë nuk është marrë parasysh. Pse qeveria shqiptare nuk i respekton të drejtat e tij civile dhe nuk e lejon të shkojë të betohet si kryebashkiak… Po të kishte qenë kështu, ligji do e thoshte se nëse dikush akuzohet për një krim, nuk mund ta kryejë betimin. Ligji nuk e thotë këtë, por thotë që ai ta bëjë betimin, pra është shkelje e të drejtës së tij civile”, theksoi deputeti.
Pyetur mbi hapin e ardhshëm të Greqisë, deputeti u përgjigj se duhet të hidhet në fushën e Bashkimit Europian. Sipas deputetit grek, mbajtja e Belerit në paraburgim, mund të bëhet pengesë serioze për anëtarësimin europian të Shqipërisë.
“Hapi tjetër, për fat të keq për Shqipërinë, do të hidhet në fushën e Bashkimit Europian, sepse BE i kushton vëmendje të veçantë respektimit të sundimit të ligjit, të drejtave të minoriteteve, të drejtave civile, prezumimit të pafajësisë“, theksoi ai.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës, dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë lekë për vota.
Në zgjedhjet e 14 majit Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.
Duke qenë në paraburgim, Beleri nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e 27 qershorit të Këshillit Bashkiak të Himarës.
/rtsh.al/