E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Arritjet e Qeverisë, presim raport pozitiv nga KE

Autori i Lajmit: Redaksia
Drejtori për Migracionin, Azilin dhe Kufijtë në Komisionin Evropian, Xhan Louis De Brouer dhe Shefi i Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Zgjerimin, Luixhi Soreka kanë vijuar takimet dhe me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. Gjatë këtij takimi kreu i Ministrisë së Brendshme paraqiti për funksionarët e KE ecurinë e deritanishme dhe arritjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave me BE. Ai tha se ka shkuar 252 mijë numri i aplikimeve për pasaporta biometrike, nga të cilat rreth 244 mijë janë prodhuar. “Sistemi i aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit është nga më modernët në Evropë, është i shpejtë dhe funksionon me efikasitet të plotë. Janë trajnuar të gjithë zyrtarët që merren me lëshimin e dokumenteve. Është përmbyllur instalimi i sistemit TIMS në të 26 pikat e kalimit kufitar, është mundësuar lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it dhe me sistemin e analizës së informacionit kriminal MEMEX”, - tha Basha ndërsa shtoi se do vijohet me një ndërfaqe elektronike për ndërlidhjen e këtyre sistemeve mes tyre dhe me sistemin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ndërkohë po punohet për unifikimin e sistemit të kontrollit në pikat e kalimit kufitar në modelin one stop shop që do të përfshijë jo vetëm kontrollin e dokumentacionit, por edhe kontrollin doganor, fitosanitar etj. Ministri i Brendshëm, shprehu bindjen pas këtij informacioni që paraqiti në takim, se ekspertët e Komisionit Evropian që do të vizitojnë së shpejti Shqipërinë do të konstatojnë këto arritje dhe do të përcjellin një raport pozitiv në Bruksel lidhur me për mbushjen e kritereve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave. De Brouer nga ana e tij vlerësoi këto arritje duke u shprehur se kriteret kryesore të udhërrëfyesit ose janë përmbushur plotësisht, ose janë pranë konkretizimit. Ai e cilësoi mjaft të rëndësishëm edhe faktin se mekanizmat dhe sistemet e krijuara funksionojnë normalisht, janë efikase dhe janë konkretizim i planeve të veprimit dhe strategjive përkatëse të qeverisë shqiptare. Duke konstatuar vullnetin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit dhe për arritjen e standardeve Shengen, De Brouer u shpreh optimist se ekspertët e delegacionit të KE që do të vizitojnë Shqipërinë do të përcjellin një raport pozitiv për progresin e arritur. Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.

Ky lajm është publikuar: 10/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›