“Lindje - Perëndim – Lindje”, drama e një populli si dështimi dhe suksesi i një etape çiklistike...Nga Besnik DizdariSado që të mundohem dhe ta quaj film sportiv “Lindje - Perëndim – Lindje” të Gjergj Xhuvanit, prap nuk ia arrij. Edhe pse ky film fil
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Lindje - Perëndim – Lindje”, drama e një populli si dështimi dhe suksesi i një etape çiklistike...Nga Besnik DizdariSado që të mundohem dhe ta quaj film sportiv “Lindje - Perëndim – Lindje” të Gjergj Xhuvanit, prap nuk ia arrij. Edhe pse ky film fillon e mbaron duke pasë si protagonistë çiklizmin dhe çiklistët. Dëshira ime e fortë që ta quaj sportiv këte film, premiera e të cilit u dha me plot sukses të enjten e shkuar né kinema “Milenium” të Tiranës, vjen po nga dëshira për të pa mbas gati nja 35 vjetësh nëse tema sportive mund të mbërrijë te një ekranizim, që do të ishte i pari qysh nga viti 1990, mbas atyre dy apo tre filmave sportivë të Shqipërisë komuniste, krejt të njëanshëm dhe në të mirë të ideve të një Regjimi.
“Lindje – Perëndim – Lindje” nuk është një film sportiv. Dhe mû për këte ky film më pëlqeu edhe më shumë. Ai thjesht ka përzgjedhur si sfond të subjektit sportin e çiklizmit dhe çiklistët për të treguar me vërtetësi se çka qe Regjimi që shkoi, tentakulat e të cilit ishin shtrirë në të gjitha poret e jetës shqiptare. Kësisoji, vetvetiu filmi i bën nder sportit shqiptar dhe çiklizmit në veçanti, sportit të parë që zhvilloi një veprimtari kombëtare në historinë e Shqipërisë, qysh më 1925 me Rrethin e parë që qe një risi europiane e llojit.
Gjergj Xhuvani duket tashmâ se është një mjeshtër i detajit. I mbajtur fort në detajin, mbase jo aq fort në dramaticitetin e fuqishëm të një epoke, filmi në fjalë, sa është një satirë po aq është dhe vepër realiste dramatike, e ndoshta më fort se të gjitha këto një ironi, pa mbërritur te “ironia e fatit” megjithate. Kësisoji, po aq sa të bën për të vënë buzën në gaz, po aq të bën edhe për t’u trishtuar, teksa ndeshesh mbas kaq vitesh me vuajtjen shpirtërore të një populli të mbajtur nën frê deri në absurditet.
Ndjeva çuditërisht një emocion të veçantë, kur kujtova se vetëm nja tre apo katër vjet para se të binte Regjimi, kam qenë përgjegjës i ekipit kombëtar të çiklizmit né Rrethin Ataturk të Turqisë me cilësinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Papritmas, përmes ekranit të “Milenumit” u ndesha me skena të ngjashme të vitit “tim” 1986. Shumë të ngjashme madje. Që nga takimi i trajnerit përgjegjës né zyrën e zëvëndësministrit (tipik interpretimi i të mirënjohurit Petrit Malaj) me porositë “për të përfaqësuar me dinjitet sportin socialist”, me kujdesin që duhet treguar jashtë shtetit si shqiptarë të Shqipërisë socialiste, me mbrapaskenat e zyrës së kuadrit me biografinë e sportistëve dhe me shoqërimin prej njeriut të Sigurimit, e deri me mjerimin ekonomik të familjes shqiptare, biri i së cilës duhet që patjetër të blejë atje jashtë pak mall sado modest, një suvenir po e po, po mundësisht edhe diçka më tepër...
***
Ka një film të madh kinematografia botërore i njohur prej të gjithëve, “Nuovo cinema Paradiso” (1988) të të mirënjohurit Giuseppe Tornatore, për të cilin është diskutuar shumë, madje shpesh edhe me disa kundërshtime a diskutime. Dihet, filmi fitoi në Kanë, ndonëse në shfaqjet e para, tejet i gjatë, nuk e entusiazmoi fort publikun, çka e detyroi regjizorin ta shkurtonte, duke shpërthyer mandej në një sukses të madh (Sa i rëndësishëm që është montazhi në një film!). Nuk mund të krahasoj “Lindje – Perëndim – Lindje” të Xhuvanit me “Nuovo cinema Paradiso” të Tornatores, mirëpo prap vërej një ngjashmëri në stil, stili i detajeve të besueshme, aq të thjeshtë, e në dukje të jashtme aspak dramatike, që të rendur njeri mbas tjetrit përbëjnë “colpo di scena” të njëmbasnjëshme që të bëjnë ta mbash frymën çast mbas çasti. Një kritik filmin e Tornatore-s e ka përcaktuar si “një revokim nostalgjik të fakteve, vendeve, ngjarjeve të së kaluarës, i ëmbël dhe i idhët bashkë, sipërfaqësor dhe tërheqës, i cili dashtë pa dashtë të merr me vete të shtangun”.
Më ngjau mû kjo gjatë projektimit të “Lindje – Perëndim – Lindje”, teksa u përshkova nga realiteti në grotesk, nga e vërteta tek një skenë që më dukej halucinante, që ndërsa më stepte, dhe për një çast nuk më dukej e vërtetë, po në çast bindesha mû për vërtetësinë. Kujtoj detajin e recetës që do të sillte ilaçin e gruas për të lindur, që i paraprin blerja paraprake e karrocës së fëmijës (besimi i Lindjes te Perëndimi ky?). Apo detaji i prurjes së intimeve të mbrendshme me ngjyrë të kuqe për mikeshën, “rrëmbimi” i të cilave është realizuar përmes një prej skenave më rokamboleske e të befasishme, falë “tradhëtisë“ rinore të një erotizmi të flakërishëm mbrenda një nate me të bijen e mikpritësit boshnjak. Apo dhe episodi i duartrokitjeve “fantazmagorike” të publikut të një qyteti të vogël që thërret “Jugosllavia! Jugosllavia!”, teksa sheh të përshkohet rruga e tij qendrore prej një grupi çiklistësh me fanelat sportive jugosllave, pa e kuptuar se ishin shqiptarë. Apo dhe gjetja e jashtëzakonshme në nënkuptimin e saj e njeriut të Sigurimit i cili është i pari dhe i vetmi që kërkon strehim politik. Apo qoftë dhe skena e “papranueshme” e mbajtjes së gjithë pajimit sportiv të çiklistëve në kufirin jugosllavo-shqiptar në kthimin e tyre aventuresk. E duke u kthyer pak mbrapa, po kësisoji edhe hiperbola çuditërisht e besueshme e përurimit të përcjelles së birit çiklist të fshatit, duke operuar me prerjen e shiritit si të një vepre të re të Partisë.
Ndoshta këto episode-detaje përbëjnë atë, “sipërfaqësoren” e përcaktimit të filmit të Tornatore-s, që me sa duket e gjen edhe te filmi i Xhuvanit, por që megjithate edhe këto kanë magjinë e asaj që “dashtë pa dashtë të merr me vete të shtangun”.
Ka pasë ndërkaq një film sovjetik të cilin na e patën ndaluar për ta parë: “I dyzetenjiti” i Grigori Çuhrajt me dy aktorë të mëdhenj që patën tërhequr aq fort brezin tonë në vitet ’50 – ’60 të shekullit që shkoi: Oleg Strizhenov dhe Izolda Isvickaja. Edhe ky film i destalinizimit të BRSS ka fituar në Kanë. Eshtë diçka krejt tjetër nga ai Tornatore-s. Por kam përshtypjen se me filmin e Xhuvanit ka të ngjashëm kahun e fabulës, edhe pse jo të përmbajtjes: një ushtare bolshevike, e cila kishte vrarë dyzet ushtarë caristë dashuron të bugosurin e saj, dhe kur ky don t’i arratiset, ajo e vret, duke u bërë ky i dyzetenjiti i vrarë prej saj. Prap them se nuk mund të krahasoj. Mirëpo, vetvetiu ka diçka të ngjashme gjetja apo fabula: çiklistët që nisen për garë dhe që i braktis gara, duke u kthyer kundër tyre, ashtu si në kundërvënien e dashurisë së Izvickajës, të dy rastet në efekte të caktuara politike të një epoke, po, natyrisht krejt të kundërta me njëra tjetrën. Madje antipod: ndërsa vrasja e Strizhenovit përforcon themelimin e pushtetit shtypës të BRSS, dështimi i garës së çiklistëve tonë nënkupton rrëzimin e pushtetit shtypës komunist të Shqipërisë.
Nuk ka gjë më të bukur se të ndjekësh fillim e mbarim një etapë çiklistike. Aty çdo kilometër përmban një episod dhe të papritura më vete, që shpesh nuk varen prej çiklistit konkurues, por prej befasive disi të jashtme të garës. Aq sa gjithmonë të duket se në këte garë veprojnë forca të pavetëdijshme. Kam përshtypjen se mû në këte qëndron dhe ana sportive e filmit të Xhuvanit.
Kur nis filmi me udhëtimin e çiklistëve për të marrë pjesë në garën për “dinjitet” sportiv në Francë, ti si spektator fillon e merr me mend se çka do t’iu ndodhë atyre në Francë. Kjo është skema, në grackën e së cilës ti bije vetvetiu. Mirëpo, Xhuvani ka gjetë antiskemën, fabulën kundërshtuese: ai nuk i çon çiklistët në Francë, i dështon, si të ishin të detyruar që papritmas të vrisnin njeriun e dashur, siç bën Izvickaja me Strizhenovin. Me ndryshimin se në rastin tonë nuk është fjala për një episod tragjik, ndonëse humori që përshkon tejendanë filmin e Xhuvanit përmban gjithë tragjizmin e një sistemi të tanë që po binte. Kthimi i çiklistëve pa marrë pjesë në garë, është “il contrapunto” i filmit tonë. Xhuvani ua kthen garën e vërtetë në një garë tjetër, ose në një pseudogarë. Në të vërtetë ata kthehen përmes garës tjetër të tyre aventureske çiklistike apo antigarës, për të mbërritur te liria, edhe pse tash për çudi i bëhet shumë i vështirë ky kthim absurd: ndërsa qytetarët e vendit të tyre po arratisen për të shkuar te liria e vërtetë, atje në Perëndim, ata kthehen në atdhenë e tyre “të lindjes”. Bashkatdhetarët shkojnë nga Lindja në Perëndim. Ndërsa çiklistët tonë kthehen prap në Lindje. Ose nga Perëndimi në Lindje. Dhe të duket se dështuan keqas. Në të vërtetë ata fitojnë garën e jetës: lirinë e vërtetë.
Kjo po, është një “garë“ vërtet dinjitoze e tyre, por jo ajo që kërkonte zevendësministri i Partisë, që Shqipëria “të triumfonte” ndaj çiklistëve të famshëm europianë. Atë garë ata e humbin në gjithçka. Dhe i dorëzojnë Perëndimit të ëndërruar gjithçka: arin që e kishin kapërdi përmes gojës për t’ia fshehë doganës, dollarët e futur në astarin e xhaketës për të bërë të mundur realizimin e dëshirës ândërruese për t’iu sjellë të afërmëve një suvenir perëndimor, në fund të fundit. (Kam përjetuar me sytë e mi një skenë kur i gjetën një trajneri të shquar, në mos gaboj pesëdhjetë dollarë, në xhepin e pantallonave të palosur né valixhe, si dhe dorëzimin e tij të menjëhershëm në Gazin e Degës).
Ajo është humbja e tyre “sportive” për të fituar garën e madhe të lirisë. Kësisoji, gjithçka shndërrohet në “Lindje – Perëndim – Lindje”. Mund të merret si një dështim, teksa shohim se ata braktisin Perëndimin dhe kthehen prap në Lindje. Nuk e kuptoj kështu. E kuptoj se koha që vjen do të jetë e këtillë ku edhe Lindja shqiptare do të shndërrohet në Perëndim. Dhe që Lindja dhe Perëndimi tash do të shkrihen në një. Një Lindje – Perëndim – Lindje e vërtetë që edhe për shqiptarët do të jetë si një etapë “çiklistike” me shkuarje e ardhje të pandalueshme. Për fat, nuk kishim parashikuar kohën e zgjatjes së këtij bashkimi...
***
Ka një kuptim të madh skena e fundit e filmit: hyrja e çiklistëve shqiptarë pa asgjë me vete në tokën e vendit të tyre. Diçka e qetë, një ecje e ngadalshme, pa ritmikën e pedalimit mbi biçikleta që mbeten përtej kufirit nën talljen e kufitarëve të vendit tjetër. Por fytyrat e të kthyerve tonë, nuk kanë megjithate shprehjen e një dështimi mirëfilli. Të duket se fytyrat e tyre shprehin lodhjen, mundimin e një populli që duroi 45 vjet, po mbi të gjitha qetësinë e një kthimi në shtëpinë e tyre që me sa duket, tash e mbrapa do të jetë diçka tjetër. Më e bukur, më e mirë, në thelb më e lumtur...
Them se kjo është dhënë deri në pagabueshmëri, ku flet po aq muzika e Enrico Ruggeri-t, që në këtë fund, për çudi, nuk më duket si një realizëm, por më fort të përfshin te një si romantizëm, që të kujton paksa kolonën zanore të Ennio Morricone-s te “ Nuovo cinema Paradiso”, që është quajtur e ”e një efekti madhështor”.
Me aq sa kam njohuri, babë e bir, teksa kujtoj figurën e pashlyeshme të Dhimitër Xhuvanit, të sapo ndarë nga jeta, them se skenari ka qenë në duar mjeshtri. Çka në tanësi e vërteton gjetja çiklistike e gjithë filmit pa e shndërruar asesi në një film sportiv. Bindem edhe më fort për këte kur kujtoj një interes të imtë të Gjergjit për të përftuar një kulturë çiklistike qysh para xhirimit të filmit. Pa harruar se skenarist së bashku me dyshen e Xhuvanëve të shquar është edhe i mirënjohuri Jani Duri.
Ky film i Gjergj Xhuvanit ka jetë. Ashtu siç kanë jetë edhe dy filmat e tjerë të famshëm të tij për ne: “I dashur armik” dhe “Parullat”, me të cilët në mos gaboj, ai synon të mbyllë ciklin e tij për Shqipërinë e Regjimit.
I udhëhequr prej interpretimit të paharrueshëm të aktorit të madh Ndriçim Xhepa, personazhet e filmit janë njeri më i besueshëm se tjetri. Kam përshtypjen se gjatë gjithë filmit personazhi i Xhepës nuk qesh thuajse asnjëherë. Xhepa është kështu i paarritshëm në këte mosbuzëqeshje të tij. Kështu duhet të jetë menduar ky protagonist që mban boshtin e filmit. Eshtë më i vjetër se çiklistët e tij, e duket se mban mbi shpatulla gjithë tragjizmin apo zymtinë e asaj Shqipërie, ndërsa çiklistët e tij të rinj i përshkon një humor shpesh sa dinak, po aq i snqertë e naiv (“ka pasë thënë gjyshi im”, siç është refreni domethënës i një personazhi) që sikur nënkupton humorin tjetër, më modern e njerëzor të një të ardhmeje. Me folë me gjuhën e sportit, këta aktorë “të panjohur” emrat e të cilëve janë Helidon Fino, Gentian Hazizi, Fatjon Pustina, Ervin Bejleri, Lulëzim Zeqja, përbëjnë një pesëshe që e drejtuar prej një Ndriçim Xhepa të shkëlqyer, interpreton si një skuadër, duke patur secili rolin e vet megjithate. Natyrshmëria e interpretimit të tyre them se përveç talentit të tyre, gjen mbështetje tek lakonizmi i një dialogu tejet të kursyer, duke i dhënë përparësi një gjuhe filmike po kaq të kursyer: gjestit, episodit në lëvizje, veprimit fizik, një plastike të fytyrës që bart gjithnjë shrehjen e jashtme të mendimit që buron prej botës së tyre të mbrendshme. Ndërkaq, duke qëndruar te çiklizmi, nuk është e lehtë të gjesh se cili është “gregario” (çiklisti që nuk kërkon fitoren e vet, por të shokut më të fortë, të cilit i shërben deri në sakrificë), aq i domosdoshëm në etapat çiklistike. Ndoshta mungon në këte rast, ndonëse çiklizëm pa “gregario” nuk ka. Në një farë mënyre, në rastin tonë ata janë të gjithë lidera, të cilët kërkojnë të fitojnë secili ëndrrën e tyre të mveshur me kënaqësinë e të dalunit jashtë shtetit për të thithur pak ajër lirie, po dhe me prakticitetin e një përfitimi që asokohe gjithë sportistët shqiptarë e kishin ide fikse. Në fund, kur mbaron filmi, ti e ndjen se ata janë qytetarë, qytetarë të vërtetë te vendit tyre, me shpirt të pasur e shoqëri të fortë, teksa pranojnë fatin apo fatalitetin e dështimit të garës tyre sportive, për të fituar tjetrën, garën e madhe të shndërrimit të shoqërisë e vendit të tyre, dhe kështu, mû në ditën e “dështimit” të etapës së tyre sportive, ata nisin etapën e rilindjes së tyre.
Kjo është ideja e madhe e këtij filmi të financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në të cilin ndikimi i artit të drejtorit të fotografisë Roberta Allegrini, të montazhit të Claudio Cutry dhe të piktorit Durim Neziri, më duket se shkrihet me gjithçka tjetër në një unison artistik. Një film (ai sapo fituar çmimin special të jurisë së “Prifilmfest” të Kosovës) që vërtet më gëzon që nuk është një film sportiv, por që megjithate e nderon fort sportin, përsa kohë krijuesit e tij e kanë vendosur ngjarjen, idenë, konfliktin, simbolikën, realitetin, vërtetësinë, poezinë, humorin, dramën, tek bota e sportit si pjesë e pashkëputshme e jetës shqiptare. E theksoj këte sepse me gjithë përpjekjet e autorit të këtyre rradhëve, dhe jo vetëm të tij, për fat, sot sporti kombëtar është tejet i shkëputur nga jeta shqiptare. Temë për një herë tjetër kjo, megjithate...
***
Nuk mund të parashikoj se çka ka ndër mend të krijojë për të ardhmen Gjergj Xhuvani. Dhe jo vetëm ai. Një gjë është: krijimtaria e Xhuvanit tregon se jeta e Shqipërisë 1941-1991, periudhë që kapin tre filmat e tij, është vetë si një film i gatshëm, në tragjizmin e saj, në dramën e saj, në absurdin e saj, në frikshmërinë e saj, në befasitë dhe krimin e saj, në mbylljen dhe ndodhitë e saj, në njerëzit e saj shtypës dhe të shtypur, në fund të fundit, në çiltërsinë, guximin dhe frikën e njerëzve të popullit të saj, në revoltën dhe nënshtrimin, në rininë e asokohe dhe në rininë që sapo ka dalë prej saj, që është bërë gati të marrë ndër duar një Shqipëri tjetër, atë të Lindje – Perëndim – Lindje.
Këte Shqipëri 1941-1991 si një film i gjallë, ende pak e kemi prekur. A mos ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ketë filmin e saj të parë epope historike për këte periudhë, serial apo të një metrazhi disi gjigand, për të treguar më shumë si histori se sa përmes të figurshmes apo simbolikës, hap mbas hapi, me ngjarjet dhe personazhet e vërtetë që luajtën rolin e tyre po historik? E kanë realizuar të gjithë shtetet e Europës për kulme të periudhave të historisë së tyre.
Gati 60 vjet më parë, kur ende Shqipëria nuk kishte kinematografi, falë Bashkimit Sovjetik, u realizua filmi epope historik për Skenderbeun i Sergei Jutkeviç (1904-85) që na pat mahnitë. E mandej “Fortuna” i Juri Ozerovit (1921-2001) – për fat një skemë e tanë! Të dy regjizorë epokalë për Bashkimin Sovjetik. Tash është koha për filmin e një historie moderne të Shqipërisë, qoftë dhe përmes një filmi në prozaizmin kronologjik. Kam këmbëngulur në Këshillin Drejtues të RTVSH për t’u shfaqur filmi serial francez “Le dernier Seigneur des Balkans” (“Zotnia i fundit i Ballkanit”) i vitit 2005 i Michel Favart, kushtuar edhe historisë së re të Shqipërisë, qoftë dhe për faktin se personazhe të tij janë edhe Ahmet Zogu e Enver Hoxha. Ende shpresoj se ky film do të shfaqet, duke nxitur ndoshta krijimin e një filmi kësisoji klasik të historisë së Shqipërisë, e cila, siç u tha në premierën e “Lindje – Perëndim – Lindje”, më 2009 paska realizuar 6 filma, çka përbën rekordin e mbas rënies së Regjimit të 12 filmave skematikë në vit në të mirë të ruajtjes së tij! Këto gjashtë filma të sotëm thuajse të gjithë janë një bashkëpunim ndërkombëtar, çka e forcon tejet rritjen dhe modernizimin e kinematografisë shqiptare që kërkon të rilindë.
Edhe këto të shkojnë ndër mend mbasi e lë sallën e “Mileniumit”, dhe merr me vete kënaqësinë estetike dhe vërtetësinë e krijimit të filmit “Lindje – Perëndim – Lindje” të regjizorit të shquar tashmâ, Gjergj Xhuvani.