E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Biznesi dhe punësimi, platforma që po gjen zemrat e tiranasve

15-04-2011 / Gazeta 55

Lehtësime për biznesin në kryeqytet, hapja e 30 mijë vendeve të reja pune dhe investime në infrastrukturë, janë projektet e administratës “Basha” për mandatin 2011-2015, të cilat po gjejnë zemrat e tiranasve, si një alternativë që është e mirëpritur dhe e besueshme

Kandidati për kryetar i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e bazon platformën e tij për shtimin e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët, tek investimet. Basha bëri te ditur sot se parashikon në programin e tij të punësimit, përmirësim të infrastrukturës dhe klimës së biznesit, lehtësira fiskale dhe thithje të investimeve të huaja. Basha tha se do të ketë lehtësira fiskale për 4-5 vjet për bizneset që punësojnë mbi 50 punonjës si dhe do të krijohen parqe industriale bazuar mbi Planin e Përgjithshëm Rregullues, i cili do të përfundojë brenda 12 muajsh. Këto deklarime Basha i bëri gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në Tiranë. “Prioriteti ynë numër një mbetet punësimi në të gjithë kuptimin e fjalës. Vende pune, kushte më të mira pune, paga më të larta dhe trajtim më të mirë. Që ta bëjmë këtë ne duhet që Tiranën ta kthejmë në një qytet që e lakmon biznesin jo në një qytet ku largohet biznesi. Të përmirësojmë klimën e biznesit duke ulur taksat, të përmirësohet klima e biznesit duke krijuar mundësi për parqe teknologjike ku jo vetëm punohet me një regjim fiskal të favorshëm, por edhe transferohet përvoja e punës edhe tek brezi i ri. Këto inkubatorë do të jenë pa taksa deri në 3 vjet. Gjithashtu, unë do të heq taksat për të gjitha bizneset që punësojnë 50 ose më shumë punonjës për 4 deri në 5 vjet. Unë kam shpallur prioritet kryesor një fond prej 2 milion eurosh, me të cilat do të hapen 6 mijë vende pune. Bashkia duhet të konkurrojë për ta thithur kapitalin, kapital do të thotë punësim, kapital do të thotë rroga të larta, kapital do të thotë mirëqenie”- tha Basha. Heqja e 60, nga 85 taksat dhe tarifat e bashkisë, ulja e barrës fiskale nga 40 deri në 60 mijë lekë në vit, ulja 3 deri ne 5 herë e kohës për marrjen e lejeve ose licencave, parashikohen nga kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Bashkia e Tiranës, tha Basha, do të angazhohet dhe konkurrojë për thithjen e investimeve të huaja duke e bërë kryeqytetin tonë një vend atraktiv për biznesin. 
Po dje, banorë të njësisë bashkiake numër 4 në Tiranë, kanë kontestuar investimet elektorale të Edi Ramës. “Vetëm pak minuta pas vizitës së Ramës në këtë njësi për të inauguruar një segment të shkurtër rrugor, banorët kanë shprehur indinjatën për mungesën e investimeve në brendësi të lagjeve, mungesa që nuk i gjen as në fshatrat më të thella në Shqipëri”- thanë banorët.
Ata i shprehen ankesat e tyre kandidatit për kryetar të bashkisë, Lulzim Basha, i cili sapo kishte përfunduar takimin me sipërmarrës ku po shpaloste programin e tij për politikat fiskale. “Kemi kaq vite që jetojmë në pellgun e ujit këtu, nuk është mbajtur asnjë premtim. Nuk bëhet problem se cila parti fiton ne flasim thjesht për publikun, jetojmë në mushkonja, jetojmë sipër bodrumeve të mbushura me fekale”- i tha Bashës një banore.
Kandidati për Kryebashkiak i siguroi qytetarët se problemet e tyre janë prioriteti i tij. “Problemi është se taksat paguhen dhe shërbimet nuk jepen. Taksat paguhen dhe na tregohet një rrugë që është e asfaltuar tre herë. Kurse këtu ka 20 vjet që nuk ka vënë dorë njeri. Unë ju them që kështu nuk mund të vazhdohet. Ne kësaj mënyrë të vepruarit, apo të mos vepruarit duhet ti japim fund. Ne duhet t’i rikthejmë sytë nga lagjet tona, nga pragu i shtëpive të qytetarëve dhe ta fillojmë aty”- u shpreh Basha. Ai shprehu angazhimin dhe vullnetin e tij që në 4 vjet të asfaltohet çdo rrugë e rrugicë e Tiranës. Gjithashtu, Basha premtoi se lagjet e Tiranës do të kenë hapësira të gjelbra dhe hapësira argëtimi për fëmijët e të moshuarit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›