E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Për mua si kryebashkiak, problemi numër një do jetë punësimi dhe rritja e fuqisë blerëse

15-04-2011 / Gazeta 55

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, u tregon projektet qytetarëve të Alliasit


Punësimi dhe rritja e fuqisë blerëse janë përcaktuar si prioritete kryesore të kandidatit për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Gjatë prezantimit dje pasdite të kandidatit për njesinë bashkiake nr. 4, Hysen Xhura, Basha bëri te ditur se vetëm nga ulja e taksave, krijimi i fondit të garancisë për kreditimin e biznesit, dhe nisja e unazës së madhe, do të hapen 15 mijë vende të reja pune. Basha ka falënderuar edhe rivalin Rama për votën që i dha projektit të tij për punësimin, duke theksuar se më mirë vone se kurrë. “Unë e kam parë dhe e kam prekur dhembjen e këtij qyteti në çdo lagje. Unë e di se nuk ka problem më të madh se punësimi, mirëqënia, fuqia blerëse, prandaj unë nuk do të pranoj të tregoj me gisht asnjë fajtor tjetër, nuk do pranoj të ngrejë asnjë alibi. Bashkia është përgjegjëse. Po ju them sot se për mua Lulzim Bashën problemi numër një, çështja numër një, do jetë punësimi dhe rritja e fuqisë blerëse. Do të mundësoj hapjen e 4 mijë vendeve të reja pune vetëm nëpërmjet uljes së taksave. Unë do ngre një fond të veçantë, si fillim deri në 20 milion euro, dhe do bëj të mundur që nëpërmjet biznesit në Tiranë të gjenerohen edhe 6 mijë vende të reja pune. Unë jam i përkushtuar të nis menjëherë ndërtimin e unazës së Madhe që do të qarkojë qytetin tonë si vepra më e rëndësishme, infrastrukturore e historisë së Tiranës, që po ashtu do të jetë si fronti më i madh i punës ku do të punësohen direkt mbi 5 mijë qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe do të rihapet cikli dinamik i punësimit në veprat publike. Plani im për punësimin mori para dy ditësh mori edhe voton e kandidatit tjetër për kryetarë bashkie. Faleminderit për votën zoti Rama, më mirë vonë se sa kurrë”- u shpreh Lulzim Basha para qytetarëve të Alliasit. Po kështu, Basha ka garantuar banorët se do ti jepet fund abuzimit me çmimet, duke bërë të ditur se për këtë do të ngrihet një agjenci e posaçme pranë bashkisë së Tiranës. “Lagjet e Tiranës, - tha Basha, nuk do të mbeten më në mëshirë të fatit por me një plan konkret, ato do të asfaltohen dhe do të krijohen hapësira të gjelbra dhe argëtimi për banorët”.


Do ndërtojmë 16 shkolla të reja, vëmendje për turizmin në Tiranë


Kandidati për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha parashikon në programin e tij për arsimin, ndërtimin e 16 shkollave të reja 9 vjeçare dhe të mesme, të pajisura të gjitha me sistem modern në shërbim të nxënësve dhe mbi të gjitha të sigurta. Basha tha se në programin e tij, parashikohen investime të mëdha për arsimin në mënyrë që të arrihet mësimdhënie e cilësisë së lartë. “Prioritet për mua është ndërtimi me shpejtësi i 12 shkollave 9 vjeçare dhe 4 gjimnazeve. Nuk do të kemi më klasa me mbi 30 nxënës në qytetin tonë. Pa përjashtim do të kenë ngroje qendrore funksionale, përkundër një kosto të ulët edhe dreka. Këto shkolla në vetvete do të kenë hapësira të bollshme për jetën sociale, kulturore dhe sportive për nxënësit tanë”, tha Basha. Tirana turistike është një tjetër angazhim i Lulzim Bashës. Në platformën e tij për këtë sektor, parashikohet lehtësim i barrës fiskale për të gjithë operatorët turistikë ndërsa si hap i parë do të hiqet taksa e fjetjes në hotele e cila aktualisht është 5 %. Këtë platformë, Basha e bëri publike në një takim me operatorët turistikë dhe gjatë vizitës në panair per turizmin. Sipas Bashës, do të investohet në vlerat turistike të Tiranës ndërsa në planin e ri rregullues do të marrë zgjidhje sinjalistika në funksion të turizmit, vendparkimet për automjetet turistike, etj. “Sigurisht do të keni mbështetje të plotë se për mua turizmi është një aleat shumë i rëndësishëm për punësimin. Punësimin unë e kam shpallur numrin një në programin tim. Kam ndërmend të investoj në një panair lokal i cili do t’i shërbejë jo vetëm turizmit, por të gjithë industrive në këtë qytet”, tha Basha. Arti dhe kultura zënë një hapësirë të veçantë në projektin e Lulzim Bashës për Tiranën si metropol europian. Ndër të tjera, në platformen e tij Basha parashikon ngritjen e galerisë, filarmonisë e muzeut të qytetit si dhe mbështetje e veçantë do t’u jepet talenteve. Këto pjesë të proramit për zhvillimin e artit, Basha i bëri me dije në një takim me artistë të njohur të kryeqytetit. “Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se investimi në art, përveç investimit në konstitucionit tonë shpirtëror, është një investim në punësim, është një investim në mirëqënie, ëhstë një investim në zhvillimin ekonomik”, tha Basha. Në këtë takim ishin të pranishëm artistët më të zë të vendit si Kujtim Çashku, Muhallaq Luarasi, Edi Luarasi, Suela Konjari, Nik Xhelilaj etj. Ashtu siç ka deklaruar publikisht, politikani i njohur Sabri Godo ka mirëpritur në lagjen e tij kanditin për Bashkinë e Tiranës z. Lulzim Basha dhe e ka shoqëruar atë në takimet me banorët ku është njohur me problematikën e zonës. Ashtu si edhe ne lagje të tjera të kryeqytetit infrastruktura, mungesa e hapësirave të gjelbra dhe ambjenteve argetuese kryesisht për fëmijët dhe të moshuarit, ishin problemet kryesore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›