E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: E tejkaluar mungesa e komunikimit mes vendorëve

Basha dje gjatë takimit me të zgjedhurit vendorë

Mungesa e komunikimit mes të zgjedhurve vendorë kishte shkaktuar jo pak probleme për shërbimin që u ofrohet qytetarëve në Tiranë. Sipas kryebashkiakut Lulzim Basha, prej kohësh ishin shkaktuar vonesa, që nga plani urbanistik deri te transferimi i Ujësjellës-Kanalizimeve. Kjo është arsyeja, sipas tij, pse bashkëpunimi mes të zgjedhurve vendorë është domosdoshmëri në interesin më të mirë të qytetarëve. Mendoj se ne duhet të zhbëjmë çdo pengesë artificiale në komunikim, duhet të veprojmë në mënyrë energjike, që komunikimin tonë ta forcojmë dhe kjo, pa dyshim, do të ndihmojë jo vetëm përmes shkëmbimit të përvojave, por edhe duke forcuar relevancën tonë, domethënien tonë, si të zgjedhur të drejtpërdrejtë të qytetarëve të pushtetit vendor, në të gjitha diskutimet, që nga buxheti e legjislacioni kombëtar e deri te projektet e përbashkëta që shtrihen në territorin e bashkive dhe komunave tona, deklaroi dje kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ai mori pjesë në konferencën Për një qeverisje vendore efektive. Sipas kryebashkiakut, tashmë janë vendosur urat e komunikimit të kënaqshëm me të zgjedhurit vendorë brenda qytetit të Tiranës, për çështje të tilla si decentralizimi i kompetencave drejt minibashkive. Ndërkohë, Kryeministri i vendit, i pranishëm në konferencë, u bëri thirrje bashkive dhe komunave të forcojnë disiplinën fiskale. Duhet të kemi vetëdije, ne si qeveritarë, pa një disiplinë të fortë fiskale, komunat, bashkitë dhe vendi në tërësi nuk do të mund të ecin dhe të zhvillohet. Përveç taksës së biznesit të vogël, një taksë themelore në çdo demokraci, e cila nuk mund të jetë kund tjetër veçse e administruar nga ju, është taksa e pronës. Mbledhja e kësaj takse, të dashur kryetarë të bashkive dhe komunave, është absolutisht në limite të papranueshme. Unë e kuptoj që të mbledhësh këtë taksë në Shalë, në Orenjë, në Frashër, ka vështirësi serioze, por kjo taksë në qytetet tona, kjo taksë në komunat me një gjallëri të vërtetë, nuk përbën asnjë vështirësi tjetër përveç vështirësive burokratike, tha Kryeministri. Sipas tij, Shqipëria nuk është më një vend i varfër. Nga të dhënat që prezantoi Kryeministri në banesa për frymë vendi është më mirë se 5 vende anëtare të BE-së. Shqipëria sot ka 2.6 qytetarë për banesë, apo 384 banesa për 1 mijë banorë. Shqipëria ka mbi 330 mijë familje me 2 banesa ose më shumë. Shqipëria, pra, ka sot një klasë të mesme, produkt i procesit të këtij zhvillimi. Shqipëria ka ndërtuar nga periudha 2001-2011 më shumë se çdo komb tjetër në Europë, përveç lituanezëve, në 30 vjetet e fundit. Por po të marrim taksën e pasurisë që mblidhni ju, ajo ka mbetur te Shqipëria e varfër, tha Kryeministri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›