Hapen aplikimet, si të punësoheni në Itali
Kurse falas për formimin gjuhësor e profesional për tu punësuar në Itali. Të paktën 50% të pjesëmarrësve në këto trajnime do tu gjendet edhe një vend pune në sektorë të ndryshëm. Ministria e Punës filloi bashkëpunimin me homologen e saj italiane me projektin pilot në fushën e imigracionit dhe të punës. Prej tij do të përfitojnë të paktën 255 shtetas shqiptarë. Nisma u bë e njohur dje gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Ministrinë e Punës, në të cilën morën pjesë ministri i Punës, Spiro Ksera, drejtori i Përgjithshëm i Migracionit i Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, Natale Forlani, si dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani. Të interesuarit do të mund tu drejtohen sporteleve të migracionit pranë drejtorive rajonale të shërbimit kombëtar të punësimit (zyrave të punës) në qendrat e banimit, për të paraqitur kandidaturën e tyre sipas modaliteteve të parashikuara dhe për të regjistruar profilin e tyre në listat e disponueshmërisë. Informacioni mbi procesin e regjistrimit gjendet në faqen e internetit www.mpcs.gov.al (te menu MIGRACIONI, ku të interesuarit mund të shkarkojnë edhe formularin e aplikimit). Regjistrimi pranë sporteleve të migracionit, në zyrat e punës së Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës, Lezhës, Shkodrës, Kukësit dhe Peshkopisë do të kryhet nga data 27 mars deri më 10 prill 2012. Duke iu referuar fillimit të projektit, ministri i Punës theksoi se ky është vetëm hapi i parë në zbatim të Marrëveshjes dhe se realizimi me sukses i tij do ti hapë rrugën shtrirjes në kohë dhe në hapësirë të Marrëveshjes. Ambasadori Massimo Gaiani vuri në dukje nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Ministrisë të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, tregues i të cilit janë edhe këto zhvillime pozitive në fushën e migracionit të punës. Ambasadori vlerësoi kontributin e rreth 500 mijë shqiptarëve të ligjshëm që jetojnë e punojnë në Itali, 250 mijë e të cilëve tashmë janë integruar plotësisht në tregun italian të punës. Drejtori i Përgjithshëm, Natale Forlani, e përcaktoi ecurinë e marrëdhënieve mes dy ministrive si cilësi. Drejtori Forlani prezantoi modalitetet teknike të zbatimit të projektit dhe deklaroi se planet e bashkëpunimit mes dy ministrive për periudhën 2012-2013 në fushën e migracionit të punës do të bazohen tek ecuria e kërkesave dhe ofertave në tregjet respektive të punës.
Aplikimi
- Të interesuarit do të drejtohen në zyrat e punës
- Duhet të regjistrohen si të papunë
- Informacioni mbi procesin e regjistrimit gjendet në faqen e internetit www.mpcs.gov.al (te menu MIGRACIONI, ku të interesuarit mund të shkarkojnë edhe formularin e aplikimit).
- Regjistrimi pranë sporteleve të migracionit,
në zyrat e punës nga data 27 mars deri më 10 prill 2012.