E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Gërdeci, asnjë ndikim në marrjen e ftesës

 Ministri i Punëve të Jashtme shprehet optimist për marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit

 

TIRANË- I sapo kthyer nga Sllovenia, nga një takim i Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, Lulzim Basha ka deklaruar dje se përmbushja e kritereve politike e ligjore, si dhe vazhdimi i reformave të ndërmarra, po bëjnë bazën e vendimmarrjes politike në Samitin e Bukureshtit. Qeveria, tha Basha, ka të gjitha arsyet të besojë se kjo vendimmarrje do të jetë pozitive, duke përjashtuar mundësinë që ngjarja e ndodhur në Gërdec të sjellë pasoja negative në marrjen e ftesës së anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit. I pyetur nga mediat për pasojat e kësaj ngjarjeje, ministri i Jashtëm tha se procesi i anëtarësimit është një proces që kalon nëpërmjet shumë reformave. Për ministrin Basha, "reforma e Sigurisë dhe Forcave të Armatosura është një komponent shumë i rëndësishëm, por reforma politike, ligjore dhe ekonomike kanë qenë në fokusin e marrëdhënies së Shqipërisë me Aleancën e Atlantikut në tre vitet e fundit". "Vlerësimi i Aleancës, si në përmbyllje të ciklit të tetë në maj të vitit që kaloi, ashtu edhe në përmbyllje të ciklit të nëntë në janar të këtij viti, gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në krye të një delegacioni edhe me anëtarë të opozitës, kanë qenë vlerësime mjaft pozitive. Përmbushja e kritereve politike, ligjore, vazhdimi me sukses i reformave të ndërmarra nga Shqipëria, të cilat vlerësohen edhe nga BE-ja si shembull frymëzimi për vendet e tjera të rajonit, po bëjnë bazën e vendimmarrjes politike në Bukuresht, vendimmarrje për të cilën kemi të gjithë arsyen të besojmë se do të jetë pozitive për Shqipërinë",- tha dje ministri i Punëve të Jashtme, një ditë pas pjesëmarrjes në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Siç bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të ministrisë, Ministrat e Jashtëm të BE vlerësuan përparimin e bërë nga Shqipëria kohët e fundit dhe theksuan se ky përparim mund të shërbejë si një frymëzim për vendet e tjera të rajonit. Gjithashtu, ata inkurajuan përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetme, forcimin e kapaciteteve në administratën publike dhe gjyqësor, si hapa të rëndësishëm për fazën e re të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe BE-së. Ministri Basha ka konfirmuar dje edhe delegacionin zyrtar që do të përfaqësojë Shqipërinë në Samitin e Bukureshtit: presidenti Topi, kryeministri Berisha, ministri i Mbrojtjes, Oketa, ministri i Jashtëm, Basha, Ambasadori i akredituar në Bruksel, Ambasadori në Rumani, si dhe kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›