Gërdeci, FBI inspektim në Rinas për trafikun e municioneve
Deklarimet e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-leitnant Luan Hoxha në prokurori zbardhin detaje të reja për hetimin
TIRANË- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-leitnant Luan Hoxha, ka dorëzuar pranë grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, një procesverbal dhe një kopje të leje-kalimit të agjentëve të FBI-së, të cilët me kërkesë të shtabit në shtator të 2007 kanë inspektuar ngarkesat e avionëve me materiale ushtarakë që niseshin nga Rinasi, pasi dyshohej se kompania MEICO dhe shoqëria "Albdemil" kryenin trafik. Lajmi bëhet i ditur nga burimet pranë grupi hetimor të çështjes së Gërdecit, dosje e cila prej tre ditësh është dorëzuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme për mos kompetencë. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me veprimet e tija me dashje apo pa dashje mund të ketë konsumuar elementë të veprës penaletë "shpërdorimit të detyrës". Sipas këtyre burimeve, mësohet se pas shpërthimit të Gërdecit me datë 15 mars, janë marrë në pyetje një sërë ushtarakësh të Shtabit të Përgjithshëm, pyetja e të cilëve është bërë në cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen dhe si deklarues. Ndër të parët që u morën në pyetje menjëherë pas shpërthimit ishte edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-leitnant Luan Hoxha, i cili ka dëshmuar për rreth 6 orë në prokurori para zvprokurorit Genc Qano. Sipas këtyre burimeve, mësohet se përveç deklarimeve në lidhje me ngritjen e punishtes së çmontimit të fishekëve në Gërdec, gjeneral-leitnant Hoxha ka dorëzuar para prokurorisë edhe disa urdhra, shkresa zyrtare, raporte të shërbimit dhe procesverbale të ndryshme të firmosura nga zyrtaarë të ministrisë së Mbrojtjes. Mësohet se ndër shkresat e dorëzuara në prokurori ndodhet edhe një leje-kalimi i lëshuar për agjentët e FBI-së, të cilët në shtator të 2007 ishin vënë në dijeni nga vetë Shefi i Shtabit gjeneral Hoxha mbi dyshimet që ai kishte për trafikimin e materialeve ushtarake nga aeroporti i Rinasit. Kështu, pas vënies në dijeni për këto dyshime dy agjentë të FBI-së nga mesi i muajt shtator kanë kërkuar leje-kalimi për në zonën ushtarake të Rinasit për të inspektuar ngarkesat e avionëve që bëheshin me urdhër të ndërmarrjes MEICO dhe kërkesës së kompanisë "Albdemil". Sipas burimeve, mësohet se leje-kalimi është lëshuar me vetë firmën eLuan Hoxhës, pas kërkesës së agjentëve të FBI-së, të cilët ishin informuar mbi dyshimet e ngritura nga strukturat e Shtabit të Përgjithshëm për trafik të materialeve ushtarake. "Ka qenë muaji shtator 2007, kur me anë të një letre Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka njoftuar Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, për dyshimet e ngritura se nga Rinasi kompania SAC dhe ajo shqiptare po kryenin trafik të materialeve ushtarake në drejtim të vendeve të ndryshme me avion. Me të marrë këtë informacion, agjentët kanë kërkuar leje-kalimi, me të cilën janë pajisur për të lejuar inspektimin, pasi vetë Shtabi Përgjithshëm nuk kishte kompetencën e inspektimit pasi kjo e drejtë i kishte kaluar Forcave të Bashkuara të Ushtrisë që kishte në varësi ndërmarrjen MEICO",-thuhet ndër të tjera, në deklarimet e bëra nga gjeneral Hoxha. Sipas dëshmisë së tij, këto dyshime kanë lindur që prej moslejimit të inspektorëve të Shtabit të rikontrollonte fabrikën e Gërdecit. Gjithashtu, mësohet se në nëntor të vitit 2007 ora 19:50 është kryer një inspektim në fabrikën e Gërdecit ku roja i këtij ish-reparti ushtarak po flinte. Ky procesverbal është gjetur vetëm pak ditë më parë nga prokurori i çështjes në terren Arben Dollapi, i cili rezulton i firmosur edhe nga Drejtor Teknik i kësaj shoqërie.
NGJARJA
Ngjarja e ndodhur në magazinën e çmontimit të predhave në Gërdec në orën 12:08 më 15 mars 2008, është bërë shkak që Prokuroria të hulumtojë procedurat e ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me procesin e demilitarizimit të municioneve luftarake të ushtrisë shqiptare. Gjatë verifikimit të këtyre procedurave, prokurorët e kryeqytetit kanë ngritur dyshime se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka kryer veprën penale të "shpërdorimit të detyrës" me veprimet dhe mosveprimet e tij në cilësinë e kreut të dikasterit që ka drejtuar deri pak ditë pasi ndodhi tragjedia e Gërdecit.
ISH-MINISTRI
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mbajti të premten një konferencë shtypi në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë dorëzimit të institucionit që ai drejtonte dhe deklaroi se nuk ishte përfshirë në asnjë aferë korruptive të supozuar nga mediat. Mediu mohoi akuzat për shkelje apo abuzime me detyrën, ndërsa theksoi se ishte i gatshëm të përballej me Prokurorinë, pasi organi i akuzës filloi hetimet për tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec mesditën e 15 marsit, ngjarje që shkaktoi 25 viktima dhe mbi 300 persona të plagosur si dhe dëme të mëdha materiale.