Basha: Heqje të licencës për çdo operator të transportit urban që do rrisë çmimin e biletës
Nëse ndonjë nga operatorët e transportit urban do të rrisë çmimin e biletës ai do të përballet me heqje të menjëhershme të licensës.
Ky ishte paralajmëri i kryetarit të bashkisë Lulzim Basha pas deklaratës së djeshme të Shoqatës kombëtare të transportit e cila kërkoi rritjen në 70 lekë të biletës së urbanit.
Gjithashtu, Basha theksoi se Bashkia është në proces studimi për të vërtetuar nëse duhet të ndërmerren hapa për të rritur çmimin e biletës apo jo. “Ne jemi në proces të një studimi i cili do të vërtetojë nëse ka apo jo nevojë për të ndërmarrë hapa në drejtim të strukturës së çmimit. Pas këtij studimi, autoritetet përkatëse, pasi është një proces i cili kërkon një vendimmarrje më të gjerë, do të shqyrtojnë hapat e nevojshëm në këtë drejtim dhe në mënyrë transparente me operatorët do të diskutohen konkluzionet e studimit. Ne jemi dhe gjithmonë kemi qenë të hapur për një komunikim serioz me operatorët e transportit publik në Tiranë. Sigurisht, ata sikundër edhe ne jemi në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Operatorët e transportit publik, ndërkohë që kanë qenë dhe shpresoj se do të vazhdojnë të jenë një ndihmë në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë për qytetarët e Tiranës nuk janë qëllim në vetvete, janë thjesht një instrument. Qëllimi është një shërbim sa më i mirë, cilësor e me kushte të pranueshme për qytetarët e Tiranës dhe për këtë ekziston kontrata. Këto kontrata duhet të zbatohen në mënyrë të plotë dhe rigoroze. Çdo hap i njëanshëm deklarativ apo faktik i çdo operatori apo i çdo përfaqësuesi të operatorëve do të vendosë automatikisht në lëvizje hapa të njëanshëm sipas kontratës, deri në revokimin e kontratës ndaj atyre që shkelin kontratën”- tha Basha.
Ndërkohë Shoqata kombëtare e transportit kërkoi dje rritjen e çmimit të biletës së urbanit në kryeqytet me 70 lekë me arsyetimin se është rritur çmimi i karburantit.
Aktualisht çmimi i biletës në linjat urbane në kreqytet është 30 lekë dhe kjo rritje do të sillte dyfishim të çmimit për xhepat e qytetarëve.