Pse Evropa?
Krahasimi i martesës jo të lumtur me pafuqinë aktuale të Evropës, edhe pse i dëshpëruar, është i qëlluar. Të paktën ky krahasim u thotë evropianëve se nuk janë ngujuar në bashkësi vetëm për shkaqe materiale. Mirëpo, derisa ky mësim të mësohet në të vërtetë, Evropa duhet të përgatitet për më shumë pengesa dhe vështirësi, të cilat nënkuptojnë se ajo ende duhet ti japë një përgjigje pyetjes fondamentale: Pse duhet qëndruar së bashku, sidomos në kohëra kur gjithnjë e më shumë evropianë po zgjedhin të mos martohen fare?
Cili është kuptimi i Evropës? Kërcënimi nga shpërbërja shpërthyese e eurozonës – dhe bashkë me të edhe i Bashkimit Evropian – po zbehet. Mirëpo rezultati jo i qartë i zgjedhjeve të fundit parlamentare në Itali, me Dhomën e Lartë të dominuar nga një parti që bënte fushatë me platformën anti-BE dhe me një shumicë proevropiane në Dhomën e Përfaqësuesve, ka ringjallur debatin fondamental rreth kuptimit të integrimit evropian. Evropianët e kanë të vështirë të gjejnë një mënyrë pozitive për të përshkruar “ushtrimin”, në të cilin janë angazhuar gjatë gjashtë dekadave të fundit. Një interpretim i përbashkët është se integrimi është i mirë për njerëzit. Uniteti supozohet të jetë themeli i prosperitetit. Tregu i përbashkët ishte mbrojtur që në fillim, duke u bazuar në përfitimet që do të vinin nga zgjerimi i tregut. Edhe në rastet e integrimit në tregun kapital e edhe më pas me miratimin e valutës së përbashkët, ka ndodhur ngjashëm. Të gjitha këto kujtojnë disa argumente të forta që ishin bërë në shekullin e nëntëmbëdhjetë rreth integrimit kombëtar dhe bashkimit. Në veçanti, dy shtete, problemet e të cilave e nxitën pjesën më të madhe të domosdoshmërisë për integrim evropian gjatë shekullit nëntëmbëdhjetë – Gjermania dhe Franca – ishin tejet të ndryshme për nga aspekti kulturor dhe politik. Në të dyja këto shtete, nacionalizmi romantik i fillim shekullit nëntëmbëdhjetë hapi rrugën për lindjen e një opsioni të matur për forcat ekonomike, pas revolucioneve të dështuara të vitit 1848. Gazetari gjerman me ndikim, Ludwig von Rochau, i cili e shpiku shprehjen “Realpolitik”, e përshkroi gjendjen e re të Gjermanisë në prag të luftës së fundit për bashkim të Otto von Bismarck. Uniteti gjerman nuk ishte një çështje e vullnetit që buron nga zemra; ishte “një transaksion i zakonshëm biznesi, në të cilin askush nuk do të duhej të humbiste, por të gjithë do të duhej të rrëmbenin aq sa të mundnin për veten”. Italianët e ndanë të njëjtin besim, pas zhgënjimit të vitit 1848. Patriotizmi mund të gjenerojë mundësi biznesi. Burrështetasi i madh liberal, Bettino Ricasoli, konstatoi se Tuscany ishte thjesht financiarisht i pazbatueshëm si i vetëm. Ky lloj i nacionalizmit ekonomik në Gjermani dhe në Itali për pak kohë prodhoi koalicione interesi, të cilat mbështetën nxitjen e një bashkimi kombëtar nën Bismarckun dhe Cavourin. Mirëpo besueshmëria e projektit kombëtar dukej se u shkërmoq kur rritja u pengua, duke çuar në shfaqjen e lëvizjeve që bënin fushatë në mënyrë agresive, konfrontuese dhe të dhunshme për identitetin kulturor. Mario Monti pasardhësi i shekullit të njëzetenjëtë i atyre patriotëve të shekullit nëntëmbëdhjetë, të cilët argumentonin domosdoshmërinë ekonomike të unitetit kombëtar. Tani është uniteti evropian ai që nevojitet për shkaqe ekonomike. Ky vizion i Evropës nuk është idealist; ka të bëjë thjesht me atë se si evropianizimi mund t’u sjellë përfitime italianëve. Dhe, sikurse pararendësi i shekullit nëntëmbëdhjetë, edhe ky vizion është më se e mundur të preket nga kundërshtime të rënda, veçanërisht kur del të sjellë vetëm dhembje dhe vuajtje. Në të vërtetë, kur evropianët e së sotmes shikojnë drejt së ardhmes, ata shohin vetëm recesion të stërzgjatur dhe kursime. Evropa nuk nënkupton asgjë tjetër përveç sakrificës: evropianët e veriut që paguajnë për mjerimin e Evropës Jugore nëpërmjet transferimeve të majme, apo evropianët jugorë që i ripaguajnë rëndë – apo mbase pa ia dalë fare – nivelet e borxhit. Një variant i argumentit ekonomik për unitetin evropian është pretendimi se integrimi i zgjeruar e lehtëson financimin e borxhit, për shkak se normat e interesit janë më të ulëta. Reduktimi i kostos së huas ka prodhuar një motiv të fuqishëm gjatë viteve 90 që qeveritë e Evropës jugore t’i bashkohen unionit monetar. Mirëpo kostoja e lëvizjes në një ambient jodetyrues është i lartë. Në këtë vazhdë, një tjetër paralele historike është e dobishme. Franca në kohën e regjimit të mëhershëm vazhdimisht u impononte gjysmëdetyrime kreditorëve të vet, duke u reduktuar normat e interesit dhe duke u shtyrë kohëzgjatjen. Në vitet 1780, lindi një konsensus i ri kundër masave të tilla. Mirëpo pamundësia e rritjes së të ardhurave më pas nxiti Revolucionin francez, me revolucionarë që kërkonin taksa konfiskuese dhe detyrime shtesë për elitën e pasanikëve. Alternativa për të menduar rreth integrimit evropian thjesht si një mënyrë për gjenerimin e pasurisë dhe prosperitetit shpesh e krahason atë me një martesë. Në fund të viteve 80, për shembull, kryetari i atëhershëm i Komisionit Evropian, Jacques Delors, duke i shtuar gjasat për një Evropë me dy shpejtësi, kishte sugjeruar se një apo dy shtete mund të kenë nevojë për “një tjetër lloj kontrate martesore”. Analogjia e martesës ishte përdorur fillimisht për të sinjalizuar se marrëdhënia evropiane ishte ekskluzivisht një. Evropianët kishin një marrëdhënie unike, në të cilën askush – veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës – nuk do të duhej të ndërhynte. Siç kishte thënë më 1997 Dominique Strauss-Kahn, ministër i atëhershëm francez i Financave, “njerëzit e martuan nuk i duan të tjerët në dhomën e tyre të fjetjes”. Mirëpo martesa mund të jetë një institucion i tensionuar (siç vetë Strauss-Kahn mund ta dijë më mirë se shumëkush). Gazetari britanik i ekonomisë, Martin Wolf, e mendon Evropën si në një martesë që mbahet gjatë vetëm për shkak të çmimit të lartë të divorcit. Të tjerët e shohin atë si në një martesë të rreme. Martesa tradicionale zotohet për një angazhim që i verbëron partnerët nëpër rrethana të ndryshueshme: në pasuri dhe varfri, në sëmundje dhe shëndet. Edhe nëse martesa nuk u bën mirë partnerëve, ata ende kanë nevojë ta ruajnë atë. Kështu që, fqinjëve, të cilët kanë të kaluar grindavece apo të dhunshme, nuk do të ishte gjëja më e mirë tu këshillohet që bashkohen në martesë. Problemi qëndron aty se evropianët jo aq mirë e kishin kuptuar se çfarë nënkuptonte në të vërtetë martesa dhe pse do të dëshironin të martoheshin. Të magjepsur nga premtimet për mirëqenie materiale dhe siguruar, ata i ekzagjeruan pritjet nga shkëlqimi i martesës romantike. Krahasimi i martesës jo të lumtur me pafuqinë aktuale të Evropës, edhe pse i dëshpëruar, është i qëlluar. Të paktën ky krahasim u thotë evropianëve se nuk janë ngujuar në bashkësi vetëm për shkaqe materiale. Mirëpo, derisa ky mësim të mësohet në të vërtetë, Evropa duhet të përgatitet për më shumë pengesa dhe vështirësi, të cilat nënkuptojnë se ajo ende duhet t’i japë një përgjigje pyetjes fondamentale: Pse duhet qëndruar së bashku, sidomos në kohëra kur gjithnjë e më shumë evropianë po zgjedhin të mos martohen fare?
Autori është profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit dhe profesor i historisë në Institutin evropian të Universitetit në Firence. Marrë nga “Project Syndicate”