E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Kërkojmë kryesinë e OSBE-së në 2012

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha,në Helsinki konfirmoi dhe një herë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë Kryesinë e Radhës së OSBE-së në vitin 2012, si dhe u ndal në zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Në mbështetje të kandidaturës shqiptare për Kryesinë e OSBE-së për vitin 2012, ministri Basha theksoi se "Shqipëria ka dëshmuar se ka ndërtuar kapacitetet e nevojshme për një kontribut të tillë, bazuar në një përvojë disa vjeçare të drejtimit të suksesshëm në disa forume të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare". Basha vuri në dukje se dokumentet bazë të OSBE-së nga Akti Final i Helsinkit te Karta për Sigurinë Evropiane, ruajnë parimet themelore të konceptit bashkëkohor të sigurisë, demokracisë, respektit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, shtetit të së drejtës dhe integritetit territorial."Shqipëria mbështet fuqimisht veprimtarinë e OSBE-së që ka për qëllim forcimin e këtyre parimeve dhe vlerave, përfshirë angazhimin në luftën kundër intolerancës dhe diskriminimit", tha ministri Basha. Në këtë kuadër, ai shprehu bindjen se "tradita jonë shekullore e dialogut dhe mirëkuptimit fetar e kulturor do të përbëjnë një vlerë të shtuar për Kryesinë e Organizatës".Duke u ndalur tek zhvillimet në Kosovë, Basha nënvizoi progresin e bërë gjatë 10 muajve të fundit, sidomos në drejtim të ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, në përputhje me planin Ahtisaari. "Pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin tonë", theksoi Ministri Basha.Në vijim, Lulzim Basha vuri në dukje se të gjitha vendet e rajonit po bëjnë progres të dukshëm në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se perspektiva Evropiane dhe Euroatlantike e Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë kurrë kaq e qartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›