Topi: Italia do investojë në ekonomi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi një takim me Presidentin e Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni. Presidenti Topi nënvizoi nevojën që marrëdhëniet e shkëlqyera politike, dhe raportet e miqësisë tradicionale duhet të konkretizohen edhe me zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Kreu i shtetit u shpreh se edhe kjo vizitë, ashtu si edhe ajo e para disa ditëve e Kryeministrit Berluskoni në Tiranë, kontribuon ndjeshëm për thellimin e mëtejshëm të tyre, dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë dhënë Shqipërisë përgjatë viteve duke e konsideruar atë partnerin tonë strategjik. Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni theksoi se rajoni që ai drejton dhe investitorët italianë janë të hapur dhe të gatshëm për të shikuar mundësitë e rritjes së pranisë së tyre në tregun e favorshëm shqiptar.