Basha Me 26 nentor Tirana do te kete Memorialin e Shqiponjes

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim zv/Kryeministrin e Maqedonisë z. Musa Xhaferri. Z. Xhaferri shprehu kënaqësinë që ndodhej në Bashkinë e Tiranës, në këtë moment të rëndësishëm të kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë, pasi Tirana është kryeqendra e festimeve të shqiptarëve, në këtë 100 vjetor, theksoi Xhaferri.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka bërë të ditur z. Xhaferri, disa nga aktivitetet që do të zhvillohen në këtë 100 vjetor në Tiranë, duke u ndalur në vendosjen e simbolit kombëtar, shqiponjës.
Në ditën e ngritjes së flamurit në Tiranë, Bashkia do të vendosë në vendin që sot njihet si rreth-rrotullimi i Doganës, Memorialin e Shqiponjës dhe do të emërtojë sheshin “Shqiponja”. Simboli i shqiponjës do të vendoset më 26 nëntor dhe është bashkëfinancuar nga një familje shqiptare nga Tetova. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë drejtues të pushtetit vendor nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi.
Kryebashkiaku Basha ka theksuar se kjo ceremoni, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë do të shërbejë edhe për rigjallërimin e lidhjeve mes drejtuesve vendorë shqiptarë. “Përmirësimi i infrastrukturës i ka sjellë më pranë shqiptarët”- theksoi z. Basha, sipas të cilit përfundimi i autostradës Tiranë - Elbasan dhe rruga e Arbrit do ta shkurtojnë edhe më shumë kohën e lëvizjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Zv/Kryeministri i Maqedonisë Musa Xhaferri e ka informuar z. Basha se ka përfunduar projekti teknik i linjës hekurudhore mes Kërçovës dhe Linit që do ta lidhë Shqipërinë me Maqedoninë, edhe në linjë hekurudhore.